Marina amerikane ka dërguar në Azinë lindore një prej anijeve më moderne që ka në flotën e saj, veprim që me siguri do të bëjë që Kina të “kthejë kokën”. Destrojeri USS Zumwalt është projektuar për të mbajtur në të ardhmen raketa hipersonike që, sipas vetë marinës, do të “krijojnë një tjetër nivel rreziku për kundërshtarët”.
“Prania e anijeve luftarake që pikasen me vështirësi nga radarët sigurisht që përbën interes për kinezët, sidomos nëse Zumwalt është e pajisur me armë hipersonike”, thotë për CNN ish-kapiteni i Marinës Ameriane, Carl Schuster.
Arma më e frikshme amerikane në Paqësor
Sipas një raporti të Institutit Detar Amerikan, armët hipersonike do të vendosen mbi destrojerin Zumwalt vitin e ardhshëm. Në një dëgjesë në Kongresin Amerikan në maj 2022, u tha nga ekspertët e marinës se predhat e lëshuara nga kjo armë do të godasin objektivin me një shpejtësi prej gati 21 mijë kilometrash në orë, duke e bërë thuajse të pamundur pikasjen dhe shkatërrimin e tyre nga armiku. Destrojeri Zumwalt mbërriti të hënën në Japoni, duke iu bashkuar skuadriljes së destrojerëve numër 15, që është më e madhja jashtë Shteteve të Bashkuara.
I gjatë 185 metra dhe me peshë 16 mijë tonë, Zumwalt është destrojeri më i madh dhe më modern nga ana teknologjike, që lundron në ujërat e të gjithë globit. Për krahasim, destrojeri më i madh kinez është modeli Type 055, i cili peshon rreth 13 mijë tonë.
SHBA kishte planifikuar fillimisht të ndërtonte mbi 30 destrojerë të tillë, por për momentin janë ndërtuar vetëm 3, ndërsa aktivë janë vetëm 2 të tillë. Me një kosto ndërtimi prej gati 8 miliardë dollarë për çdo anije, projekti duket tepër i kushtueshëm për të vazhduar në të ardhmen. Schsuter e quajti mbërritjen e Zumwalt në Japoni, më tepër si një lëvizje politike sesa ushtarake, të paktën derisa destrojeri të pajiset me armë hipersonike. “Për momentin Marina e ka të vështirë t’i caktojë një mision”, tha ai.