Rreth 300 pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Indianas do të vijnë në Kosovë në një mision nëntëmujorë me fokus garantimin e sigurisë për kosovarët.
Sipas “The Times”, bëhet fjalë për një ekip luftarak që i përket brigadës së këmbësorisë, i cili është nisur të shtunën nga SHBA-ja dhe është ndalur fillimisht në Gjermani, para se të vazhdojë për Kosovë.
Kur trupat të zbarkojnë në Kosovë, ushtarët e task-forcës do ta drejtojnë Komandën Rajonale-Lindje nën autoritetin e NATO-s.
“Burrat dhe gratë e kësaj brigade do të punojnë për të siguruar që pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do të mbeten të forta, dhe se qëllimi ynë i përbashkët për shtete të pavarura, multietnike me shoqëri që bashkëjetojnë në paqe në Ballkanin Perëndimor është realizuar”, ka thënë gjeneralmajori Dale Lyles.
“Dërgimi i trupave tanë demonstron vendosmërinë e Amerikës për të mbrojtur sovranitetin e kombeve të lira dhe demokratike siç është Kosova”, shtoi ai.
Ky është rotacioni i 31-të i forcave ushtarake të SHBA-së që dërgohen në bazën në Kampin Bondsteel në Kosovë.
Trupa nga Polonia, Zvicra, Letonia, Turqia, Sllovenia, Greqia, Hungaria dhe Italia po ashtu shërbejnë në Komandën Rajonale – Lindje në Kosovë që prej përfundimit të luftës.
Aktualisht, 635 trupa amerikane shërbejnë në misionin paqeruajtës në Kosovë.