SHBA paralajmërim Rusisë: Mos të preket teknologjia bërthamore amerikane në Ukrainë

SHBA ka teknologji të ndjeshme bërthamore në një termocentral bërthamor brenda Ukrainës dhe po paralajmëron Rusinë që të mos e prekë atë, sipas një letre që Departamenti Amerikan i Energjisë i dërgoi firmës shtetërore ruse të energjisë bërthamore Rosatom muajin e kaluar.

Sipas CNN, letra mban datën 17 mars 2023, ku drejtori i Zyrës së Politikës së Mospërhapjes së Departamentit të Energjisë, Andrea Ferkile, i thotë drejtorit të përgjithshëm të Rosatom se termocentrali bërthamor Zaporizhzhia në Enerhodar “përmban teknikë bërthamore me origjinë nga SHBA dhe të dhëna kontrollohen nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara.”

Letra e Departamentit të Energjisë vjen pasi forcat ruse vazhdojnë të kontrollojnë centralin, i cili është stacioni më i madh bërthamor në Evropë dhe ndodhet në një pjesë të rajonit të Zaporizhzhia që Rusia pushtoi pas pushtimit të Ukrainës shkurtin e kaluar.

Termocentrali është shkëputur shpesh nga rrjeti elektrik i Ukrainës për shkak të bombardimeve intensive ruse në zonë, duke rritur frikën në të gjithë Evropën për një aksident bërthamor.