Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se Rusia planifikon të aneksojë zyrtarisht Donetskun dhe Luhanskun, dy krahina në lindje të Ukrainës, të cilat kanë shpallur të ashtuquajtura Republika Popullore. Para nisjes së sulmeve më 24 shkurt, Rusia u bë shteti i parë që njohu pavarësinë e këtyre dy republikave, por sipas SHBA, shumë shpejt me to do të ndiqet i njëti skenar si me Krimenë.
Michael Carpenter, ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), tha të hënën për gazetarët: “Sipas raportimeve më të fundit besojmë se Rusia do të përpiqet të aneksojë Republikën Popullore të Donetskut dhe atë të Luhanskut. Rusia planifikon të mbajë atje referendume në mes të muajit maj”.
Carpenter tha gjithashtu se SHBA beson se Rusia do të zbatojë të njëjtin plan edhe për një tjetër rajon, Kherson, ku ka forcuar kontrollin ushtarak dhe ka imponuar përdorimin e rublës ruse si monedhë. “Këto referendume farsë, me vota të falsifikuara, nuk do konsiderohen legjitime”.
Ambasadori shtoi se një plan të ngjashëm Rusia kishte organizuar edhe për Kievin, ku do të instalonte një regjim kukull për të ndryshuar kushtetutën e Ukrainës. Por për shkak të rezistencës së vendasve, u detyrua të tërhiqej në lindje.