I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka zbutur tonet me kryeministrin kosovar Albin Kurti duke e konsideruar atë si një partner të SHBA-së, ndonëse e ka cilësuar nganjëherë si një partner të vështirë.
“Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është partner i vështirë, por është partner. Kosova është partneri ynë. Serbia është partneri ynë. Pra, në të ardhmen duam të përfitojmë nga marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve që kemi me Serbinë”.
Këto janë fjalë të të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar në një intervistë për Zoran Korac, themelues dhe drejtor i Institutit për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore (IPESE) me seli në Beograd.
Sipas Escobar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të avokojnë për përparimin e Ballkanit Perëndimor dhe ta shohin atë si një zonë me mundësi të jashtëzakonshme që duhet të integrohet plotësisht në Bashkimin Evropian.
“Nëse Shtetet e Bashkuara do të kishin një rol më të madh në vendimmarrje, deri në vitin 2030, i gjithë rajoni do të ishte brenda Bashkimit Evropian”, tha Escobar.
Ai thotë se sheh një të ardhme shumë pozitive për Serbinë dhe rajonin në tërësi dhe dëshiron që Serbia të jetë më e fortë “në komunitetin e miqve që SHBA ka në Evropë”.
Kur është fjala për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Escobar thekson se është e nevojshme që pa vonesë të fillohet procesi i zbatimit të Bashkësisë së Komunave Serbe.
“Në Ohër arritëm një marrëveshje. Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme që hapi derën për një marrëdhënie paqësore, konstruktive dhe të parashikueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës sipas rregullave evropiane. Kur u larguam nga Ohri, u larguam optimistë. Në dy muajt pas asaj marrëveshjeje, kemi pasur shumë kriza politike dhe do të thoja se të gjitha ishin të parashikueshme dhe mund të shmangeshin.
Pra, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën dhe menjëherë të kthehemi në fokusin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Për Serbinë kjo do të thotë t’i jepet fund bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës. Për Kosovën kjo nënkupton fillimin e procesit të zbatimit të Bashkësisë së Komunave Serbe. Duhet të punojmë menjëherë për të dyja gjërat”, tha i dërguari i SHBA.
“Më duhet ta bëj të qartë një gjë: zoti Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një partner i vështirë, por ai është një partner. Kosova është partneri ynë. Serbia është partneri ynë. Pra, në të ardhmen duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve që kemi me Serbinë për të gjetur një mënyrë, për të gjetur një mënyrë reciprokisht të pranueshme dhe reciprokisht të dobishme në mënyrë që të dyja të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. së bashku.
Dhe jo vetëm kaq, por që të dyja të ndihmojnë në hapjen e derës së integrimit për pjesën tjetër të rajonit. Pra, ne duam të përdorim marrëdhënien tonë të mirë për të ndihmuar në ndërmjetësimin në të ardhmen”, përfundoi Escobar.