Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është parë duke hyrë në ndërtesën e Presidencës së Kosovës më 22 gusht.
Vizita e tij në Kosovë vjen pasi zyrtari i lartë i inteligjencës amerikane qëndroi edhe në vendet e tjera të rajonit.
Paraprakisht, Ambasada amerikane në Prishtinë nuk konfirmoi vizitën e Burnsit në Kosovë. Radio Evropa e Lirë nuk mori konfirmim as nga Presidenca e Kosovës, e as nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Por, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se ka udhëtuar shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, në Bosnje dhe Serbi, u pa mesditën e së enjtes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë mesditën e së enjtes e fotografoi aeroplanin e ushtrisë amerikane të ndalur para zonës “VIP” në Aeroportin e Prishtinës.
Me këtë avion besohet se Burns ka udhëtuar nga Sarajeva në Beograd. Ndërkaq, më 22 gusht ky aeroplan udhëtoi nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar.
Gazetarët e REL-it po ashtu kanë parë një autokolonë duke u larguar nga zona “VIP” e aeroportit “Adem Jashari” drejt Prishtinës.
Kjo autokolonë është përcjellë nga makina të Policisë së Kosovës.
Në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht, Burns u takua me homologët e tij nga sektori i inteligjencës, me anëtarët e Presidencës së këtij shteti dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.
Siç tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, arsyeja e vizitës së shefit të CIA-s në Sarajevë, ndër të tjera ishte edhe për shkak të retorikës dhe veprimeve shqetësuese separatiste të presidentit prorus të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik dhe Qeverisë së këtij entiteti.