Harmonia ndër fetare është e shprehur në Kosovë. Myslimanë dhe katolikë festojnë bashkë festat fetare të njëri-tjetrit.
Një shembull i mirë i tolerancës ndër fetare është vizita e deputetes Besa Ismaili në Kishën Katolike në Prishtinë.
Ndonëse e mbuluar me shami, Ismailin nuk e ka penguar që të shkojë t’i vizitojë motrat e nderit që punojnë në Kishë.Ajo madje ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetin social në Facebook edhe një rrëfim ku bashkë me motrat e nderit kanë ndihmur refugjatët që vinin nga Siria.
Postimi i Besa Ismailit në Facebook:
Si tradicionalisht, bashkë dhe me vajzën time, në vizitë feste të Krishtlindjeve tek motrat në Kishën Katolike në Ulpianë. Motra Smila, pak ditë më parë, ka festuar ditëlindjen e saj! Plot 80 vite në shëndet të mirë, sakrificë dhe shërbim të pakursyer në komunitet dhe shoqëri! Me motrën Smila bashkë, kemi bërë disa punë, të vogla, të mira, me ndikim pozitiv në shoqëri! Rrugëtimet tona plot sfida, kanë ngulitur kujtime që unë me ëndje i ndajë me studentet e mia dhe me miq! Po e ndajë sot një kujtim edhe me ju: afro tri vite më parë, kur vala e refugjatëve nga Siria bashkë me një të ftohtë dimri kishte kapluar Ballkanin, me motrën Smila,me motrën Leonora nga Kisha Protestane dhe Svetllanën nga Kisha Ortodokse organizuam mbledhjen e rrobave të dimrit për refugjatët. Aq sa patëm mundësi, por gratë arritën të mbushin plot një kamionetë. Me motrën Smila dhe Xheladinin bëmë rrugë deri në kufi të Maqedonisë….Për të shkurtuar tregim: donim që mes shumë shembujsh tjerë, të ndërtonim një narrativë ndryshe. Narrativën e dialogut ndërveprues dhe jo karshillëqeve dhe distancave!Të tolerancës së jetuar, jo vetëm të përfolur dhe ceremoniale. Unë personalisht doja të ju tregoja disa të rinjve dhe të rejave që nëse duan të ndihmojnë Sirinë këtë mund ta bëjnë edhe nga këtu, duke ndihmuar refugjatët…. E shumë shembuj të tjerë, të bëma simbolike si këto, që për mua, dhe përgjegjësinë e re që po më pret, do të jenë inspirim shtesë dhe inkurajim për më shumë dialog, më shumë drejtësi, më shumë fuqizim të vlerave familjare, dhe vlerave të Kosovës tonë! Në ditë feste si kjo e sotmja, është kënaqësi e veçantë të shohim gjenerata të reja të ndërtojnë tutje mbi këto iniciativat tona dikur dhe të tjera që ato sot zgjedhin! Toleranca ndërfetare dhe ndërkulturore nuk është asgjë primordiale dhe as nuk duhet marrë e mirëqenë! Ajo do mirëmbajtje, do goxha mirëmbajtje, dhe zotim, dhe konsistencë, dhe vetmohim, dhe sinqeritet, dhe mbi të gjitha dashuri! Dialogu është parakusht për paqen, për ndryshimin për të mirë! Për të gjithë miqtë e mi të krishterë, urime Krishtlindjet! Shëndet,mirësi dhe prosperitet për ju dhe familjet e juaja!