Shërohen 605 persona të prekur me COVID-19 në Shqipëri

Në përditësimin e sotëm nga Instituti i Shëndetit Publik u bë më dije së janë regjistruar 10 raste të reja me koronavirus, ndërsa 605 persona të prekur me COVID-19 janë shëruar.

“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 275 testime për persona të dyshuar me COVID-19 dhe prej tyre kanë rezultuar pozitivë 10 qytetarë, kontakte të rasteve të mëparshme. Rastet pozitive të ditës së sotme janë të shpërndara si vijon: 2 të infektuar në Kamëz, 3 të infektuar në Krujë, 2 të infektuar në Shkodër dhe 3 të infektuar në Tiranë.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 842 qytetarë, ndërsa 605 prej tyre tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 206 persona aktivë me COVID19″, sqaroi Dr. Rovena Daja.

Gjithashtu Daja apelon për qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë.