Aplikacioni i njohur Tik Tok prej kohësh është kthyer në një shqetësim real për shoqërinë për shkak të keqpërdorimit të tij. Sulmet virtuale apo denigrimet, jo pak herë janë kthyer në sherre fizike të rënda, kërcënime me jetë, vrasje e vetëvrasje.
Sulmet në internet sa vijnë dhe shtohen. Jo vetëm personazhe të njohur të ekranit por edhe njerëz të thjeshtë kanë rënë pre e konflikteve
Sherret gjatë komunikimeve LIVE në Tik TOK mes Rigels Rajkut dhe Kleviol Ahmetit, të njohur me emrin e artit Noizy dhe Cllevio Serbiano, u zhvendosën në rrugë.
Në 6 qershor 2022 Cllevio u rrah nga Noizy dhe pjesëtarë të grupit para lokalit të tij në Durrës. Në shenjë hakmarrje, Kleviol Ahmeti me ndihmën e mikut të tij Laert Haxhiu, emër i njohur i botës së krimit, urdhëroi vendosjen e tritolit në biznesin e Noizyt, po në qershor 2022.
Ahmeti sipas policisë rezulton porositës edhe për djegien më datë 2 dhjetor 2023 të makinës së Kozak Braçit, personazh i njohur në rrjete sociale. Edhe kjo ngjarje ka për zanafillë sherret gjatë komunikimeve LIVE mes tyre në Tik Tok.
Më 20 janar 2020, i riu Vilson Tafçiu u vra në zonën e Astirit nga Noel Dishi, për shkak të një sherri i cili agravoi pas postimit të fotos së një vajze në Instagram, me të cilën viktima pretendonte se ishte i lidhur.
Në gusht 2022, policia e Elbasanit arrestoi 3 persona, të cilët dhunuan dhe i morën 2000 euro të riut Aqif Abazi, pasi kishte postuar në Instagram mjetin e njërit prej autorëve, ndërsa bënte thirrje për të gjetur pronarin e makinës, me pretendimin se ky i fundit i kishte vështirësuar qarkullimin në rrugë.
Në orët e para pas mesnatës së 14 prillit 2023 Klajdi Mancaku qëlloi me armë zjarri në drejtim të 3 personave, Mario Vrioni, Jurgen Vrioni dhe Arben Haxhiu, duke plagosur dy të fundit. Gjithçka ndodhi si pasojë e një sherri verbal në Tik Tok lidhur me muzikën që krijonin 3 të rinjtë, e cila nuk pëlqehej nga Mancaku.
Po në Durrës, më 6 prill 2023, dy të rinj, Xheson Metushi dhe Bekim Grifshi u plagosën gjatë një konflikti fizik me thika, i cili eskaloi pas një sherri online në Tik Tok.
Në 16 maj 2023, një 15-vjeçar mbeti i vdekur dhe bashkëmoshatari i tij u plagos në Gramsh, pas një sherri me thika që kishte nisur fillimisht me komente dhe mesazhe në Tik Tok.