Shfaqje e fuqisë apo paranojë? Pse është kaq e madhe tavolina e Vladimir Putinit?

Për ata që janë në majë, dekori dhe mobiliet mund të jenë mjete për të lënë mbresa, për të zbukuruar ose për të trembur.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Ulësja e tmerrshme e pushtetit në “Game of Thrones” është karrige vigane, e farkëtuar nga shpatat e shkrira të armiqve të mposhtur. Në seritë “James Bond”, keqbërësit njihen për dekorimin e qendrave të tyre me akuariume me peshkaqenë.

Në jetën e vërtetë, megjithatë, janë Vladimir Putini dhe tavolina e tij e bardhë, masive e hutuese, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.

Udhëheqësi i Rusisë ka filluar të mbajë takime një me një me figura të rëndësishme në një tavolinë gjigante me formë vezake, rreth pesë metra e gjatë dhe e mbajtur nga tri shtylla të trasha. Një buqetë e vetme me lule qëndron në mes të tavolinës.

Ai nuk është i vetëm në mesin e udhëheqësve botërorë, kur bëhet fjalë për mobilie tërheqëse. Udhëheqësi i Koresë Veriore, Kim Jong-un, ka vitrina të mjaftueshme librash për t’i bërë rivalitet një biblioteke të vogël.

Foto: Getty Images

Gjatë pandemisë, Xi Jinping-u i Kinës ka zhvilluar biseda me video përballë një pikture madhështore të Murit të Madh të Kinës, shkruan The Guardian, përcjell Gazeta Express.

Ish-diktatori libian, Muammar Gaddafi, mbante takime me udhëheqësit e tjerë nën një tendë të madhe e shumëngjyrëshe. Ai madje udhëtonte në botë me tendën e vet dhe e kishte ngritur atë në disa qytete, përfshirë parkun “Villa Doria Pamphili” në Romë dhe në një pronë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në Nju Jork.

Por cili është mesazhi prapa tavolinës së Putinit, nëse ekziston një i tillë?

Të hënën, ai e priti presidentin francez, Emmanuel Macron, në tavolinën me tri shtylla. Presidenti francez kishte fluturuar drejt Moskës “me gjoks të fryrë” duke premtuar bisedim “intensiv” me Putinin, ku ai tha se do të kërkonte një “zgjidhje historike” për kërcënimin e afërt për luftë mes Rusisë dhe Ukrainës.

Përsëri, pas pesë orëve bisedime në tavolinën e bardhë, Macroni dështoi që të nxirrte ndonjë koncesion publik nga Putini. Janë shtuar spekulimet se tavolina ishte shfaqje e fuqisë për ta dobësuar Macronin, ndoshta edhe si shprehje fizike e mospërfilljes. Sidoqoftë, është gjithashtu e mundshme që super-tavolina nuk është duke bërë fare ndonjë deklaratë politike, ose nëse ekziston një e tillë, ajo është e rendit të dytë për qëllimin parësor të Putinit: shmangien e Covid-it.

Më herët këtë muaj, Putini e priti kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në të njëjtën tavolinë. Njëkohësisht, mesazhi që Moska u mundua ta jepte ishte mesazhi i lidhjeve të ngushta dhe miqësore mes dy udhëheqësve, edhe nëse ata ishin të ulur në largësi të jashtëzakonshme mes vete.

Foto: Getty Images

Një tavolinë shumë e ngjashme gjithashtu ishte shfaqur edhe para pandemisë, por me disa persona të ulur përreth saj. Sot, Putini qartazi është duke e shfrytëzuar këtë tavolinë për distancë sociale nga udhëheqësit e huaj, siç bën në konferenca për gazetarë më pas, ku foltoret e tyre janë në mënyrë të pazakontë larg njëra-tjetrës.

Presidenti 69-vjeçar është paranojak për Covid-19 dhe ka qëndruar kryesisht në një vend të izoluar gjatë pandemisë, duke marrë masa shumë përtej homologëve të tij globalë.

Kremlini vazhdon të kërkojë nga ata që takohen me Putinin karantimin për dy javë pavarësisht pretendimit se udhëheqësi rus ka marrë tri doza të vaksinës. Kërkesat mund të jenë penguese. Para hapjes së një qendre të madhe arti në Moskë, drejtori dhe financieri kryesor thuhet se ishin karantinuar dy javë në mënyrë që ta drejtonin Putinin shkurtimisht nëpër ndërtesë.

Është një person me të cilin Putini është bërë i afërt, pavarësisht shqetësimeve të tij rreth Covid-it. Në hapjen e Lojërave Olimpike në Pekin këtë muaj, ai dhe presidenti kinez, Xi Jinping, qëndruan para kamerave brenda një largësie përqafimi mes njëri-tjetrit, si simbol i aleancës së tyre të fuqishme në kohën kur tensionet me Perëndimit po rriten.

Prapëseprapë, për takimin e tyre, zyrtarët kinezë vendosën një tavolinë jashtëzakonisht të madhe, të bërë nga druri dhe me ngjyrë të errët – më e madhe se tavolina e Putinit.