SHKK: Faton Hajrizi u transferua në Smrekonicë shkaku i sjelljes së mirë, i ka edhe 7 vjet e gjysmë dënim

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka lëshuar një komunikatë në lidhje me arratisjen e Faton Hajrizit nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë. SHKK ka thënë se pasi viteve të fundit Hajrizi kishte shfaqur sjellje të mira i është realizuar disa herë e drejta e punimit jashtë institucionit korrektues.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak. Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ka marrë pjesë në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative. Bazuar në këto sjellje, ai ka kaluar në trajtim të avancuar dhe ka realizuar disa herë të drejtën e pushimit jashtë institucionit korrektues.”

SHKK thotë se ai e kishte kërkuar transferimin në Smrekonicë dhe se ishte në proces të avancuar të risocializimit.

“I dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit.”

Shërbimi Korrektues ka treguar se cilat janë kriterët që duhet të plotësohen që një i dënuar të vendoset në një institucion të tipit të hapur:

– Janë shfrytëzues të benificioneve;

– Nuk kanë vepra të tjera në pritje për ekzekutim;

– Kanë dënim deri në 10 vite apo mbetje të dënimit deri në 10 vite.

Sipas SHKK’së, Hajrizi ka mbajtur 17 vjet e 5 muaj dënim dhe i kanë mbetur edhe 7 vjet e gjysmë.

“I dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj. Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024. Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues.”

SHKK ka thënë se Qendra Korrektuese në Smrekonivë ka elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e të dënuarve bazohet në vetëdisiplinë dhe përgjegjësi morale.

“Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale.”

Shërbimi Korrektues ka thënë se arratisja ka ndodhur më 6 korrik, në ora 01:06 dhe se janë pezulluar përkohësisht zyrtarët korrektues.

“Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate. Zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave.”

“Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar procedurat hetimore, dhe posa të përfundojë procesi, do të njoftoheni me të gjeturat.”

Hajrizi ka postuar një video në rrjetin social “TikTok”. Ai është shfaqur me një maskë në fytyrë pasi siç tha ai, ka pasur një lëndim në faqe derisa është arratisur. Hajrizi paralajmëroi se do të dalë pa maskë në ditët në vijim dhe do të hyjë live në “TikTok”.

Ai tha që nuk është ashtu siç e pasqyron policia.

“I falënderoj shumë përkrahësit e mi jashtë mase, edhe ata që bëjnë kritika ju përgjigjna pozitivisht, kqyrne mirë jetën tem, ka njerëz që e dinë në detaje jetën tem. Nuk jam ai që policia e pasqyron. Unë jam Faton Hajrizi i cili jam kanë 14 vjeçar në luftë. Unë jam Faton Hajrizi i cili kam vepruar në anën e Ibrit 2006-2007 për të mirën e këtij vendi, unë i kam shti me ikë rojet e Ibrit, unë vetëm. S’po du me u livdu hic për kurgjë, po du me thon që unë nuk jam armik i popullit, unë e du shtetit po shtetin qysh duhet, jo shtetin e sotit. Ju e dini mirë që unë burgun e kom kry qe një vit e gjysmë, u dasht me kanë në liri… Nuk është normale unë me i mbajt 23 vite burg, 15 vjeçar kam rënë në burg e 40 vjeçar jam sot”. Me ardhë mbikëqyrësi që në kohën e Serbisë ka qenë oficer e më m’thanë mu qu prej gjumit në ora 09:00, 11:00 e ora 18:00. Nuk është në rregull pse mem provoku ai mua.”

“Me ardhë mbikëqyrësi që në kohën e Serbisë ka qenë oficer e më m’thanë mu qu prej gjumit në ora 09:00, 11:00 e ora 18:00. Nuk është në rregull pse mem zajabat ai mua. Kur bëhet fletërreshtimi, mbikqyrësi vjen e i numëron të burgosurit zyrtarisht po jo me qit provoikime nënstop. Nuk është në rregull, qito mu më kanë shti me marr këtë vendim dhe me dalë ëprkohësisht në liri. Unë jam i sigurt që pjesën e mbetur, edhe pse nuk pajtohna me këtë drejtësi, ka mu kthy e me mbajt, e di unë kur, kur e shoh që ka ligj, rend dhe pjekën kushtet. Personalisht kam vërejtje të mëdha në burgun e Smrekonicës në tip te hapur, aty unë kam nejt 1 mu je gjysmë asnjëherë s’jam ngi ushqim aty. Avni Miftari ka ardhë prej burgut të Dubravës vec me ia rëndu të burgosurve jetën, qet ligje pa ligj.”

“Nuk jam i armatosur, nuk jam në Kosovë për momentin, po frikë nga unë nuk keni”, tha ai.