Shkolla e Aviacionit në Vlorë do të rihapet pas 18 vitesh dhe pritet të shndërrohet në një akademi rajonale që do të përgatisë pilotë ushtarakë e civilë dhe kontrollor ajrorë të huaj e shqiptarë. Një investim i rëndësishëm i qeverisë shqiptare.
Sot, në qytetin bregdetar është firmosur marrëveshja mes kompanisë shqiptare të prodhimit të armëve “KAYO”, me kompaninë ndërkombëtare të teknologjisë ushtarake “Elbit Systems Ltd”, e cila është me bazë në Izrael.
E themeluar në vitin 1966, Elbit Systems është ofruesi kryesor i pajisjeve tokësore të ushtrisë izraelite dhe mjeteve ajrore pa pilot, me fabrika në mbarë botën dhe u shet produktet e saj ushtarakëve të vendeve të ndryshme.
“Lajm fantastik! Finalizojmë me sukses një marrëveshje të rëndësishme me një nga liderët botërorë në fushën e mbrojtjes. KAYO sh.a dhe Elbit Systems Ltd nënshkruajnë marrëveshjen teknike, duke hapur rrugën për rihapjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë pas 18 vitesh”, shkruan ministri Pirro Vëngu.
KAYO sh.a është kompania shqiptare e armëve e themeluar një vit më parë, për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake. Në krye të saj ëhstë vendosur ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Si objekt i deklaruar i veprimtarisë së saj në letër është projektimi, prodhimi, riparimi, demilitarizimi dhe tregtimi, brenda dhe jashtë vendit, i të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve, përfshirë edhe ato ushtarake, municionet, teknologjitë dhe pajisjeve ushtarake.