POLITIKE

Shkup: Fronti Evropian shpall nismën ‘Roja e Gjuhës’

Koalicioni Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, më 8 dhjetor ka njoftuar nisjen e iniciativës “Roja e Gjuhës”, një veprim që, sipas organizatorëve, synon të ndalojë “tendencat politike që minojnë Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit”.

Nga ky koalicion deklaruan se do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese në Shkup, deri në shqyrtimin e Ligjit për gjuhët, ligj i cili është në qendër të debateve të vazhdueshme.

Kushtetuesja pritet ta shqyrtojë Ligjin e shumëpërfolur për gjuhët gjatë një seance më 11 dhjetor.

“Ky ligj nuk është thjesht një akt juridik. Është simbol i Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje që i dha fund periudhës së errët të margjinalizimit, përjashtimit dhe diskriminimit, që çoi në luftën e vitit 2001 dhe hapi rrugën për paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë. Çdo përpjekje për ta shfuqizuar këtë ligj është një sulm ndaj arritjeve tona historike dhe një goditje ndaj bashkëjetesës ndëretnike”, tha deputeti Arbër Ademi të dielën, në një paraqitje për shtyp para Gjykatës Kushtetuese.

Ademi komentoi edhe deklaratat e kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski. Ai i bëri thirrje Mickoskit që të heqë dorë nga platforma “Maqedonia sërish e jotja”, e cila u përdorur gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare nga partia e tij, VMRO-DPMNE.

“Një kryeministër që është në krye të pushtetit ekzekutiv, duhet të jetë i të gjithë qytetarëve, dhe jo i një etnie”, shtoi Ademi.

Në anën tjetër, kryeministri Mickoski, më herët, gjatë ditës, tha se të mërkurën (11 dhjetor), “nuk do të ndodhë asgjë”.

Ai akuzoi BDI-në për krijimin e tensioneve ndëretnike.

“Kemi një situatë ku askush nuk mund të ndërhyjë në Gjykatën Kushtetuese… Tema e vetme përmes së cilës BDI-ja është e pranishme në publik është krijimi i ndasive mbi baza etnike. Ata i trajtojnë vetëm çështjet etnike, pasi nuk mund të imponojnë tema të tjera ose të tërheqin njerëz që t’i mbështesin”, tha Mickoski gjatë një konference shtypi, të dielën në Qeveri.

Ndërsa zëvendëskryeministri i parë, Izet Mxhiti, nga koalicioni shqiptar VLEN, pjesë e Qeverisë, tha se gjuha shqipe nuk është cenuar, por shtoi se “pasuritë e paligjshme të BDI-së, po”.

“Për të gjithë ata që këtyre ditëve kanë ulëritur si të tërbuar për të frikësuar shqiptarët dhe për të kërcënuar me destabilizim kam një përgjigje: Loja u dogj. Rrini rehat. Gjuha shqipe nuk do të kontestohet”, shkroi Mexhiti të dielën në Facebook.

Vendimi për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit ka shkaktuar reagime të forta politike, veçanërisht pas shfuqizimit të mekanizmit të Balancuesit më 9 tetor, një instrument që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve në institucione shtetërore.

BDI, ditë më parë, u dërgoi sërish letra ndërkombëtarëve, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke kërkuar që si garantues të Marrëveshjes së Ohrit të ndërhyjnë për të parandaluar çdo vendim të mundshëm për shfuqizimin e neneve të Ligjit për gjuhët.

Në të njëjtën kohë, më 7 dhjetor, mbi 250 intelektualë shqiptarë nënshkruan një letër të hapur drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që kjo e fundit të veprojë me profesionalizëm dhe të shmangë vendime të motivuara politikisht. Sipas tyre, çdo vendim arbitrar mund të sjellë pasoja të rënda për marrëdhëniet ndëretnike në vend.

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ky Ligj, i cili nisi të diskutohet qysh më 2017 dhe u miratua më 2018, parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe. Lënda që lidhet me kundërshtimin e këtij ligji, përfshin 13 iniciativa të parashtruara nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme që prej vitit 2019./REL


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • BREAKING NEWS

Djali i Khameneit zgjidhet udhëheqës suprem i Iranit

Irani ka zgjedhur djalin e të ndjerit Ajatollah Ali Khamenei si udhëheqësin e ardhshëm suprem…

11 orë ago
  • KRYESORE

Rriten tensionet në Lindjen e Mesme, vdes një tjetër ushtar amerikan

Konflikti në rritje mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit po vazhdon të shkaktojë…

12 orë ago
  • KRYESORE

Çfarë po ndodh pas sulmeve të reja në Teheran? Përdoruesit e mediave sociale të shqetësuar për kimikatet në tym

Interneti është ndërprerë dhe qytetarët e zakonshëm që nuk kanë VPN nuk mund të lidhen…

18 orë ago
  • BOTA

Do uronte gratë e vajzat për 8 Marsin, Putini mbytet dhe kollitet për 30 sekonda! Pastaj kërkon përsëritjen e regjistrimit

Një klip i fjalimit të Presidentit rus Vladimir Putinit u botua ditën e sotme aksidentalisht…

19 orë ago
  • KRYESORE

Banorja nga Teherani: Njerëzit do të preferonin të vdisnin nga bombardimet sesa në burgjet e Republikës Islamike

Një grua nga Teheran ka deklaruar se shumë iranianë janë aq të lodhur nga represioni…

20 orë ago
  • KRYESORE

Izraeli sulmon infrastrukturën e naftës në Teheran dhe në disa zona tjera strategjike, pamje

Forcat ajrore izraelite sulmojnë infrastrukturën iraniane të naftës në Teheran. IDF njoftoi se ndërmori një…

24 orë ago