Ukraina nuk e mori publikisht përgjegjësinë për ndonjë nga shpërthimet, përfshirë ato që shkatërruan nëntë avionë rusë në një bazë tjetër ajrore të Krimesë javën e kaluar. Rusia pushtoi Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe e ka përdorur për të nisur sulme kundër Ukrainës në luftën që filloi gati gjashtë muaj më parë. Nëse forcat ukrainase qëndrojnë pas shpërthimeve në Krime, do të përbënte përshkallëzim lufte
Bombat dhe zjarret shpërthyen në një depo municioni në Krimenë e pushtuar nga Rusia, të martën, në sulmin e dytë të dyshuar ukrainas në gadishull brenda pak më shumë se një jave, duke të evakuohen më shumë se 3.000 persona.
Rusia i kosnideroi shpërthimet në fshatin Mayskoye si “akt sabotimi”, pa përmendur emrat e autorëve.
Gazeta ruse e biznesit “Kommersant”, ndërkaq, citoi banorët të kenë thënë se shtëllungat e tymit të zi u ngritën gjithashtu mbi një bazë ajrore në Gvardeyskoye të Krimesë.
Shenjë ogurzezë
Ukraina nuk mori e publikisht përgjegjësinë për ndonjë nga shpërthimet, përfshirë ato që shkatërruan nëntë avionë rusë në një bazë tjetër ajrore të Krimesë javën e kaluar. Rusia pushtoi Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe e ka përdorur për të nisur sulme kundër Ukrainës në luftën që filloi gati gjashtë muaj më parë.
Nëse forcat ukrainase qëndrojnë pas shpërthimeve në Krime, do të përbënte përshkallëzim në luftë. Sulme të tilla mund të tregojnë gjithashtu se operativët ukrainas janë në gjendje të depërtojnë thellë në territorin e pushtuar nga Rusia, duke plotësuar përpjekjet për të dobësuar forcat e Moskës në vijat e frontit.
Në një akt tjetër sabotimi të raportuar, agjencia ruse e lajmeve, Tass, citoi agjencinë e sigurisë, FSB, të ketë theksuar se operativët ukrainas hodhën në erë gjashtë kulla të transmetimit të tensionit të lartë në fillim të këtij muaji në rajonin Kursk të Rusisë, afër Ukrainës.
Kremlini ka kërkuar që Kievi ta njohë Krimenë si pjesë të Rusisë, si kusht për ndaljen e luftimeve, ndërsa Ukraina është zotuar të dëbojë forcat e Moskës nga gadishulli në Detin e Zi.
Videot e postuara në mediat sociale treguan shtëllunga të trasha tymi që ngriheshin mbi flakët e furishme në Mayskoye dhe një seri shpërthimesh mund të dëgjoheshin.
Një burrë shikon nga një apartament i shkatërruar pas granatimeve ruse në Nikopol, Ukrainë, të hënën, 15 gusht 2022
Evakuime masive
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se zjarret dëmtuan një termocentral, linja elektrike, shina hekurudhore dhe ndërtesa banimi.
“Ne dolëm për të parë dhe pamë re tymi që vinin nga kasolle ku ndodhen magazinat ushtarake”, tha banori Maksim Moldovskiy. “Kemi qëndruar aty deri rreth orës 7-8 të mëngjesit. Gjithçka po shpërthente – shkreptima, mbeturina binin mbi ne. Pastaj erdhën djemtë e urgjencës dhe thanë se po evakuonin të gjithë”.
Udhëheqësi rajonal i Krimesë, Sergei Aksyonov, tha se dy persona u plagosën dhe më shumë se 3.000 persona u evakuuan nga dy fshatra.
“Shpërthimet janë mjaft të forta. Municionet janë të shpërndara përtokë”, tha ai, duke shtuar se disa shtëpi u dogjën.
“The Brave Commander” nis rrugën nga porti detar Pivdennyi pranë Odesës, të martën, 16 gusht 2022. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës së Ukrainës, anija nën flamurin e Libanit po transporton 23 mijë tonelata grurë ukrainas
Krimeja është destinacion popullor veror për turistët rusë dhe shpërthimet e javës së kaluar në bazën ajrore Saki të Krimesë bënë që turistët të largoheshin, ndërsa flakët dhe shtëllungat e tymit ngriheshin mbi horizont.
Zyrtarët ukrainas paralajmëruan të martën se Krimea nuk do të kursehet nga shkatërrimet e luftës.
Në vend të një destinacioni udhëtimi, “Krimeja e pushtuar nga rusët ka të bëjë me shpërthime në magazina dhe një rrezik të lartë vdekjeje për pushtuesit dhe hajdutët”, tha në Twitter këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak.
Rusia njoftoi për një shpërthim aksidental të municioneve javën e kaluar, por fotot satelitore dhe prova të tjera – duke përfshirë vendet e shpërndara të shpërthimit – treguan për një sulm ukrainas, ndoshta me raketa kundër anijeve, thanë analistët ushtarakë.
Rusët në defensivë
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha në një përditësim të inteligjencës se anijet në flotën ruse të Detit të Zi janë në një “pozicion jashtëzakonisht mbrojtës” në ujërat e Krimesë, me anijet që mezi dalin jashtë syrit të vijës bregdetare. Anija kryesore e Rusisë “Moskva” u fundos në Detin e Zi në prill dhe muajin e kaluar forcat ukrainase rimorën Ishullin strategjik të Gjarpërinjve.
“Efektshmëria e kufizuar e flotës ruse minon strategjinë e përgjithshme të pushtimit të Rusisë”, thanë britanikët. “Kjo do të thotë se Ukraina mund të devijojë burimet për të shtypur forcat tokësore ruse diku tjetër”.
Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, akuzoi se përveç furnizimit me armë për Ukrainën, aleatët perëndimorë kanë ofruar inteligjencë të detajuar dhe instruktorë për ta ndihmuar Ukrainën të përdorë armë që mund të godasin thellë në territorin e pushtuar.
“Agjencitë perëndimore të inteligjencës jo vetëm që kanë siguruar koordinatat e objektivit për nisjen e sulmeve, por specialistët perëndimorë gjithashtu kanë mbikëqyrur futjen e këtyre të dhënave në sistemet e armëve”, tha Shoigu.
Ndërkohë, në Donbas, hapësira industriale në lindje që ka qenë fokusi i luftimeve muajt e fundit, një civil u vra nga bombardimet ruse dhe dy të tjerë u plagosën, sipas guvernatorit rajonal të Ukrainës, Pavlo Kyrylenko.
Në Kharkiv në Ukrainën verilindore, një civil u vra dhe nëntë të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse, tha guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov. Ai tha se sulmi gjatë natës ishte “një nga granatimet më masive të Kharkiv në ditët e fundit”.
Megjithatë një lajm i mirë erdhi nga rajoni: Një anije e ngarkuar me drithëra ukrainase, e mbikëqyrur nga Kombet e Bashkuara, u nis për në Bririn e Afrikës, të goditur nga uria, në dërgesën e parë të ndihmës të luftës. Dërgesa u bë e mundur nga një marrëveshje e ndërmjetësuar ndërkombëtarisht për të zhbllokuar grurin në portet e Ukrainës nga luftimet.