Gjysma e banorëve në Shqipëri duan të largohen nga vendi duke konsideruar mundësinë që të jetojnë apo punojnë jashtë. Mes atyre që duan të largohen, rreth 6% janë në fazë të avancuar, pra kanë prerë biletën apo janë duke u marrë me dokumentet.
Ky fakt ka rezultuar pas një ankete të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Sipas Barometrit të Ballkanit 2020, 49% e të anketuarve i përgjigjet me “po” pyetjes se, “a po e konsideron të jetojë apo punojë jashtë?”. 46% i përgjigjet me “jo”, ndërsa 5% me “nuk e di”. Norma prej 49% e atyre që e mendojnë të largohen nga Shqipëria është lehtë më e ulët se një vit më parë, kur fiksohej në 50%. Gjithsesi kjo shifër, vijon të jetë norma më e lartë e dëshirës për t`u larguar mes të gjitha vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Gjysma ndërkohë, nuk ka asgjë konkrete, por thjesht po e mendon largimin.
Të dhënat e anketës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) janë mbledhur mes periudhës dhjetor 2019 dhe janar 2020, pra nuk përfshijnë periudhën e krizës së shkaktuar nga pandemia, paçka se reflektojnë situatën pas krizës së tërmetit të nëntorit të vitit 2019.
Dëshira për t`u larguar lidhet ngushtë edhe me situatën financiare të familjeve. Të pyetur në lidhje me nivelin e kënaqësisë me situatën e tyre financiare, shqiptarët e Shqipërisë regjistrojnë rezultatin më të dobët në rajon, me vetëm 27% prej tyre të cilët shprehen të kënaqur.
Një tjetër e dhënë tregon një “shfryrje” të ndjeshme të optimizmit mes shqiptarëve. Rreth 54% e të anketuarve shprehen se, presin që situata e tyre financiare të vijojë të jetë e njëjtë përgjatë 12 muajve të ardhshëm.