Qytetarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës, do të kalojnë përmes pikës kufitare të Morinës me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave. Më herët kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes ishte në 4 muajt e verës.
Protokolli i rishikuar u firmos në Tiranë nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.
“Jam shumë i lumtur që sot në këtë vend historik, të jem bashkë me mikun tim Ministrin e Brendshëm të Kosovës, Sveçla për të shkruar bashkërisht një faqe tjetër në këtë kapitull të ri të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy shteteve tona. Nisur nga vullneti dhe angazhimi i përbashkët mes Qeverive të dy vendeve tona dhe mes dy Kryeministrave për të vijuar politikat për lehtësimin e qarkullimit të shtetasve në Pikat e Kalimit Kufitar midis Shqipërisë dhe Kosovës drejt lehtësimit të plotë të kontrolleve në zbatim edhe të marrëveshjes mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për kryerjen e veprimeve të përbashkëta të kontrollit kufitar, e nënshkruar kjo më 29 dhjetor të vitit 2018. Sot jemi për të nënshkruar një protokoll të ri ndryshues të këtij protokolli ekzistues, për implementimin e kontrollit të përbashkët kufitar në pikën e kalimit kufitar Morinë Kukës të nënshkruar në 20 qershor 2022. Përmes këtij nënshkrimi të këtij protokolli të ri ne do të mundësojmë lehtësimin e procedurave të kalimit, të verifikimit kufitar në pikën e përbashkët Morinë – Kukës për të gjithë periudhën 1 maj – 30 shtator dhe 1 nëntor – 28 shkurt, pra 9 muaj gjithsej në vit, në ndryshim nga protokolli në fuqi që parashikonte 4 muaj, konkretisht vetëm 1 qershor deri në 30 shtator. Gjatë kësaj periudhe të qarkullimit të lehtësuar nuk do të ketë kontrolle pasaportash, karta identiteti për shtetasit, e theksoj për shtetasit e të dy vendeve tona”, pohoi ministri Balla.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se po punohet që qytetarët të mos ndjejnë asnjë kufizim në pikat kufitare.
“Në vazhdimësi po thellojmë bashkëpunimin, jemi të vendosur për më shumë për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve tanë e të jemi sa më efikas në luftimin e krimit në vendet tona. Do të ecim para në marrëveshje të tjera, në mënyrë që qytetarët tanë të mos t’i ndjejnë në asnjë moment kufizimet, as mos ta dinë ku ndodhen realisht, por që janë të mirëseardhur në Kosovë apo Shqipëri, në sezonin veror apo dimëror. Me qasjen burokraci zero, të punojmë që bashkëpunimi të jetë në nivelet më të larta. Edhe Policitë tona të bashkëpunojnë sikurse bashkëpunojnë Departamentet brenda policisë”, u shpreh ministri Sveçla.
Gjatë vitit 2023 janë regjistruar në hyrje përmes kësaj pike kalimi 1,445,204 shtetas shqiptarë dhe 4,430,161 shtetas të huaj.