Një prej vrasësve më të kërkuar në Shqipëri është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar pas më shumë se 22 vjet në arrati. Skuadra e ekstradimeve në policinë metropolitane londineze ka mundur të arrestojë vrasësin Dëfrim Iseberi. Iseberi ishte listuar nga Interpol Tirana si një prej shqiptarëve më të kërkuar në botë.
Në vitin 1997, te hotel “Gjallica” në Kukës ai goditi, me armë për vdekje një roje sigurie, i cili disa muaj më pas ndërroi jetë në spital. Dëfrim Iseberi në vitin 1997 do të futej ilegalisht në Angli ndërkohë që drejtësia shqiptare e dënoi në mungesë me 20 vite burg.
Policia britanike për kapjen e tij kërkoi edhe ndihmën e publikut përmes programit televiziv ‘Crimeëatch’ në BBC1. Megjithëse në kërkim nga drejtësia shqiptare, Dëfrim Iseberi në vitin 2011 kishte postuar një video në YouTube duke luajtur futboll.
Nga kjo video policia angleze mundi të përftojë një imazh të ri se si dukej i shumëkërkuari drejtësisë shqiptare. Iseberi në Angli përdorte një identitet të rremë nën emrin Agim Mema. Megjithëse ishte i kërkuar për vrasje në Shqipëri, Iseberi kishte gjetur guximin të aplikonte për nënshtetësi britanike madje merrte edhe asistencë sociale si person në nevojë.
Dëfrim Iseberi mundi mjeshtërisht ti shmangej arrestimit nga skuadra e ekstradimeve në Londër. Tashmë arratia e tij 23-vjeçare ka marrë fund disa ditë më parë. Ndaj tij në gjykatën londineze kanë nisur procedurat e ekstradimit.
Ndërkohë mediat britanike kanë listuar edhe 10 shqiptarët më të kërkuar në mbretërinë e bashkuar, disa prej të cilëve, sipas britanikes “daily mail”, mbrohen dhe fshihen nga komunitetet shqiptare në ishullin mbretëror, të tjerët tashmë janë arrestuar.