Shtimi i aktiviteteve kulturore në Kosovë ka sjellë përfitime të shumta për vendin, sipas ekspertëve të ekonomisë. Sipas tyre, ngjarjet kulturore, përveç se ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë, ndikojnë pozitivisht edhe në imazhin e Kosovës.
Udhëheqësi i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se shtimi i aktiviteteve kulturore është i mirëpritur.
“Kjo është e mirëpritur, pasi, sipas një informacioni të fundit, vetëm Sunny Hill ka shtuar të ardhurat me 20 milionë euro, pa përmendur DokuFestin dhe ngjarjet e tjera. E mirë është që edhe komunat kanë filluar të organizojnë këto evente të ndryshme, të cilat përveç se si aktivitete kulturore, kanë ngjallur edhe ekonominë tonë, pasi kjo është si një infuzion për ekonominë. Secilën verë dhe çdo fundvit, kjo është e mirëseardhur për ne”, tha ai.
Nga organizimi i këtyre ngjarjeve kulturore përfitojnë edhe qytetarët të cilët janë të papunë, pasi, sipas Sogojevës, jo e gjithë fuqia punëtore mund të sillet nga jashtë, prandaj nevojiten njerëzit dhe kompanitë kosovare.
Gjithashtu, Sogojeva tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duhet të angazhohet më shumë në mbështetje të këtyre ngjarjeve kulturore.
Ai bëri thirrje edhe për komunat që të mos varen shumë nga niveli qendror dhe të parashikojnë herët organizimin e eventeve për muajt e verës, pasi fituesi është direkt komuna.
“Komunat, nuk duhet të varen shumë nga niveli qendror. Ata duhet të parashikojnë herët për muajt e verës për të organizuar evente, sepse fituese është direkt komuna. Eventet me karakter ndërkombëtar janë të rëndësishme”, shtoi ai.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, është i mendimit se sporti, arti dhe kultura kanë bërë shumë më shumë për vendin se sa politika.
“Është e vërtetë që agjenda politike në Kosovë ka ngulfatur autoritetin dhe reputacionin e Kosovës. Kjo ka krijuar një pamje që Kosova ka probleme me dialogun me Serbinë, dhe faktin që jemi nën sanksione të Bashkimit Evropian është një nga zhvillimet më të këqija për Republikën e Kosovës. Megjithatë, bizneset, diaspora, arti dhe kultura kanë bërë hapa shumë më të avancuar se sa politika”, theksoi ai.
Për Telegrafin, Gërxhaliu shprehu se festivalet që po organizohen në Kosovë kanë shumë rëndësi, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në atë social.
“Këto ditë jemi dëshmitarë të një eventi të madh, siç është Sunny Hill, dhe kemi edhe festivale të tjera që përformojnë yjet botërore. Këto aktivitete kanë dhënë hijeshi Kosovës. Në anën tjetër, ky grumbull aktivitetesh që promovon vlerat e Kosovës në aspektin kulturor është shumë më i rëndësishëm se politika. Janë duke u organizuar edhe lojërat olimpike dhe fitimi i medaljes së parë është një çështje që duhet të analizohet në shumë dimensione. Eventet si Sunny Hill, DokuFest dhe të tjera kanë rëndësi ekonomike, sociale dhe promovuese”, shtoi ai.
Eksperti i ekonomisë gjithashtu pohoi se politika mbështet sportistët vetëm në momentet kur ka meditje, dhe mbështetja nuk është periodike.
“Në vend që politika të mbështesë këto vlera në mënyrë të vazhdueshme, mbështetja bëhet vetëm në ditët kur ka media dhe turizëm. Kosova ka vlera shumë të mëdha dhe, për fat të keq, politika nuk po e mbështet siç duhet”, përfundoi ai.