Shtohet një miliarder i ri në botë, pasi fitoi lotarinë amerikane “Powerball”

Ka një biletë të vetme fituese në lotarinë amerikane të njohur si “Powerball” dhe personi që e ka blerë atë, është miliarderi më i ri në SHBA, pasi ka fituar shumën prej 2.04 miliardë dollarësh.

Një rekord absolut në lotaritë e fatit jo vetëm në SHBA, por në të gjithë botën dhe fatlumi, dihet vetëm se jeton në Altadena të shtetit të California-s.

Mundësia e fitores ishte një në 292.2 milionë, duke treguar kështu edhe shkallën e paimgjinueshme të vështirësisë për të qenë personi triumfues i çmimit marramendës.

Me numrat 10-33-41-47-56 dhe numrin Powerball 10, lotaria amerikane shpalli kështu fituesin e çmimit më të madh në histori.

Ky grumbullim i paimagjinueshëm parash ka ardhur si faktor i ndryshimeve në politikën e lotarisë në vitin 2015, për të shtuar koeficientin e vështirësisë për fitore.

Nga ana tjetër, 22 bileta fituese janë shpallur me vlerën e 1 milion dollarëve.

Ndërsa, për 11.2 milionë bileta të tjera, ka pasur çmime, të cilat së bashku, kapin vlerën e 98.1 milionë dollarëve.

Fillimisht nga kompania u bë me dije se rekordi do të shënjohej në 1.9 miliardë dollarë. Mirëpo, për shkak të numrit të madh të biletave të shitura në ditët e fundit përpara hedhjes së shorteut, shuma e grumbulluar shkoi në 2.04 miliardë.

Identitetin gjithsesi, fituesi, është më mirë ndoshta ta mbajë për vete!