Vitin e kaluar numri i mjekëve në Zvicër është rritur për 2.3 për qind, sipas statistikave nga shoqata profesionale e mjekëve zviceranë. Megjithatë, pavarësisht rritjes, në Zvicër ka ende mungesë të punëtorëve të kualifikuar, sipas FMH, transmeton albinfo.ch.
Kjo shoqatë ka deklaruar se Zvicra është shumë e varur nga vendet e huaja. Në një raport statistikor thuhet se në Zvicër nuk trajnohen as gjysma e mjekëve që nevojiten çdo vit.
Rreth 40 për qind e mjekëve që punojnë vijnë nga jashtë – një rritje prej 0,9 për qind brenda një viti.
Sipas Yvonne Gilli, Presidente e Shoqatës Profesionale të Mjekëve Zviceranë (FMH), janë kryesisht mjekë specialistë që vijnë nga jashtë. Shërbimet bazë në Zvicër vuajnë si pasojë. Tashmë sipas saj, sot, një e treta e mjekëve të përgjithshëm zviceranë nuk mund të pranojnë më pacientë të rinj.
Sipas studimeve të porositura nga qeveria federale, ka mungesë të kujdesit bazë: “Në mjekësinë familjare (…) nevoja nuk mbulohet, ose më së shumti mbulohet mezi, edhe me emigracionin”, shkruan SRF.
Sistemi shëndetësor është nën presion
Problemi: Gilli ka deklaruar se ka mungesë mjekësh edhe në vendet fqinje, kështu që kushtet e punës atje do të përmirësoheshin.
“Vendet fqinje po marrin masa. Tashmë po shohim trendin e ndryshimit. Ne kemi nevojë për mjekë familjarë dhe ata duhet të trajnohen në Zvicër”, thotë ajo.
Ngarkesa e lartë e punës, stresi dhe burokracia në profesionin e mjekësisë janë të mëdha. Këtë e tregon një sondazh i “NZZ” nga dhjetori i kaluar. Sipas Gillit, kushtet e mëparshme të punës për mjekët në Zvicër kanë qenë më të mira se ato jashtë vendit, më shumë prosperitet dhe të ardhura më të mira.
Masat federale
Prandaj FMH po bën thirrje për numër më të lartë të studentëve në Zvicër. Qeveria federale tashmë ka marrë masa në këtë drejtim dhe ka mbështetur një “ofensivë stërvitore” me 100 milionë franga. Deri në vitin e ardhshëm, 1300 mjekë në mjekësinë humane do të trajnohen në vit. Në vitin 2016 ishin 900.