Qytetarët në Kosovë dhe në Shqipëri, në shumicë, janë shprehur se do të votonin pro nëse do të mbahej një referendum për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Përkatësisht, janë 82,9% e të pyeturve në Shqipëri që do të votonin pro një referendumi të mundshëm, dhe në Kosovë pak më pak, në nivelin e 70,6 % e të pyeturve janë ata që do të votonin pro në një referendum për bashkimin.
Një përqindje shumë e vogël si në Kosovë edhe në Shqipëri është shprehur se do të votonte kundër në një referendum të tillë, përkatësisht 12,7 % e të pyeturve në Shqipëri, dhe 24,2 % në Kosovë.
Në një përmbledhje të rezultateve të sondazhit të Barometrit në Euronews Albania për Bashkimin Kombëtar, një studim që bëri bashkë për herë të parë qytetarët e Kosovës edhe të Shqipërisë në një pyetësor të përbashkët, ajo që del si konkluzion i rezultateve është se shqiptarët e Kosovës janë më koherentë më të qëndrueshëm në besimet e tyre për këtë çështje.
Në të dhënat e anketimit të përmbledhura për të gjitha pyetjet e sondazhit për bashkimin kombëtar duket qartë se pavarësisht se shqiptarët e Shqipërisë kanë dakordësi më të lartë në disa pyetje (psh kur pyeten për dëshirën) ata luhaten në përqindjet e përgjigjeve të tjera duke ndryshuar nivelet e dakordësisë kur flitet për (sa të mundur e shihnin, si do të votonin në referendum, apo nëse do të ishin të gatshëm për të paguar një taksë).