Është bërë më shumë se një muaj qëkurse zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor, pas kontaktit fizik me zarfet e ardhura nga Serbia, u ankuan për vështirësi në frymëmarrje, kruajtje të duarve e fytyrës.
Madje, 12 prej tyre, për disa ditë, kanë marrë trajtim në Klinikën Infektive, ndonëse zyrtarë të saj konstatuan se ata nuk kanë “sindromë infeksioze”, duke mos dhënë më shumë detaje lidhur me arsyet e reaksionit, raporton KTV.
Arsyet e reaksionit alergjik te zyrtarët e saj, ende nuk i di Komisioni Qendror Zgjedhor. Shkurt, për Kohavisionin, zëdhënësi i KQZ-së, ka thënë se për një gjë të tillë duhet të pyeten “institucionet gjegjëse”, duke aluduar në ato të drejtësisë.
Mostrat e zarfeve, pak ditë më vonë, u dërguan për ekzaminim jashtë Kosovës. Megjithatë, Prokuroria vazhdon të mos shpalosë ndonjë informatë shtesë lidhur me këtë ekzaminim.
Duke mos dhënë detaje lidhur me rastin, Laureta Ulaj nga Prokuroria Themelore, ka thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe se ende nuk kanë pranuar rezultatet e ekspertizës.
“Duke iu referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se rasti po vazhdon të hetohet, kurse sa u përket rezultateve ende nuk i kemi pranuar”, ka thënë shkurt Ulaj në një përgjigje me shkrim.
Në anën tjetër, ende pa përfunduar hetimet, Komisioni Qendror Zgjedhor, në kushte të jashtëzakonshme, ka proceduar me votat e ardhura nga Serbia.
Përkundër kësaj, pas vendimit të Gjykatës Supreme, votat e mbi 3 mijë pakove nuk do të përfshihen në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.