Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në të gjithë Kievin të shtunën, ndërsa Rusia rriti bombardimet me rreze të gjatë të qyteteve të Ukrainës që kanë vrarë të paktën 34 njerëz në tre ditët e fundit dhe kanë plagosur dhjetëra të tjera, shkruan Reuters.
Të premten vonë, raketat ruse goditën qytetin qendror të Dnipros, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur 15, ka thënë në Telegram guvernatori rajonal Valentyn Reznychenko. Raketat goditën një fabrikë industriale dhe një rrugë pranë saj.
Tetë persona u vranë dhe 13 u plagosën në një varg bombardimesh në 10 vende në rajonin lindor të Donetskut, ka thënë guvernatori Pavlo Kyrylenko.
Të enjten, raketat Kalibr të lëshuara nga një nëndetëse ruse në Detin e Zi goditën një ndërtesë zyre në Vinnytsia, një qytet me 370 mijë banorë në jugperëndim të Kievit.
Kievi ka thënë se sulmi vrau të paktën 23 njerëz dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Sulmet ishin të fundit në një seri goditjesh ruse në javët e fundit duke përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi në ndërtesat e mbushura me njerëz në qytete larg frontit.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se sulmi në Vinnytsia ishte drejtuar në një ndërtesë ku zyrtarë të lartë të forcave të armatosura të Ukrainës po takonin furnizuesit e huaj të armëve.
Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka shënjestruar zonat civile, pavarësisht provave në rritje se raketat e saj kanë goditur zonat e banuara në të gjithë vendin. Kombet e Bashkuara thonë se mijëra civilë janë vrarë që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt. Dhjetëra mijëra luftëtarë janë vrarë gjithashtu.