Ish presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka thënë se në çdo rast, Edi Rama kur përballet me çështjen e Kosovës, ai tregon tendencat pro serbe dhe fobinë ndaj Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se gjatë vizitës së djeshme në Kosovë, çështja kryesore e agjendës së tij ishte situata e rëndë provokative e Serbisë në kufirin me Kosovën dhe Rama nuk guxoi ta denonconte Vuçiqin se po provokon rëndë, përcjell Bota sot.
Nishani ka thënë se Rama u kujdes që t’i ngjyros rozë aktet e rrezikshme të Vuçiq dhe i cilësoi si thjesht teatrale rreshtimin e e tankeve dhe blindave serbe në kufirin e Kosovës dhe fluturimet armiqësore të avionëve serb mbi atë kufi.
Më tej, ai ka shkruar se Shqipëria duhet të ndërmarr çdo hap për izolimin politik e diplomatik të A. Vuçiq dhe të mbyllë të gjitha lehtësirat tregtare që E. Rama i ka siguruar Serbisë në territorin dhe portet shqiptare.
Postimi i tij i plotë:
Në çdo rast që Edi Rama përballet me çështjen e Kosovës apo rajonit tonë, ai demonstron hapur tendencat pro serbe dhe fobinë ndaj Kosovës apo injorimin e interesit kombëtar.
Gjatë vizitës së djeshme të E. Ramës në Kosovë, natyrshëm çështja kryesore e agjendës ishte situata e rëndë provokative e Serbisë në kufirin me Kosovën.
Edi Rama nuk guxoi ta denonconte në Prishtinë, A. Vuçiçin se po provokon dhe po përgatit destabilitetin në rajon.
Edi Rama u kujdes t’i ngjyros rozë aktet e rrezikshme dhe agresive të A. Vuçiq, të cilat injektojnë urrejtje dhe i fryjnë nxitjes së luftës mes popujve.
Edi Rama nuk u ngrit as në nivelin e shqetësimit dhe deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO.
Imagjino që Shqipëria është dhe vend anëtar i NATO, përveç të tjerave.
Edi Rama i cilësoi thjesht sjellje teatrale rreshtimin e tankeve dhe blindave serbe në kufirin e Kosovës dhe fluturimet armiqësore të avionëve serb mbi atë kufi.
Kësisoj, Kryeministri i Shqipërisë e konsideron argëtim rekreativ (siç është teatri) prezencën dhe deklaratat e ambasadorit rus (dmth Rusisë) përkrah tankeve e avionëve serb në kufirin e Kosovës.
A e di Edi Rama se çfarë situatash psikologjike dhe institucionale ngjallin këto akte të rënda provokimi ushtarak tek qytetarët dhe shteti i Kosovës, të cilët i kanë ende të pa mbyllura plagët e masakrave të luftës dhe gjenocidit serb mbi popullatën e pambrojtur civile atje ?
A e kupton dot Edi Rama se çfarë urrejtje nxisin këto akte agresive tek popullata serbe ndaj shqiptarëve?
Edi Rama e konsideron këtë situatë provokuar nga A. Vuçiq thjesht një teatër, (në teatër njerëzit shkojnë për kënaqësi e rekreacion). ËTF !
Askush nuk priste e nuk kërkon që Edi Rama të nxiste më tej urrejtjen dhe konfliktin e as të shpallte gatishmëri për luftë nga Shqipëria, por Edi Rama as nuk guxon e as e ndjen që të dënojë aktet provokative dhe luftënxitëse të A. Vuçiq.
Në vend që Shqipëria të ndërmarr çdo hap për izolimin politik e diplomatik të A. Vuçiq dhe të mbyllë të gjitha lehtësirat tregtare që E. Rama i ka siguruar Serbisë në territorin dhe portet shqiptare, ky i fundit vijon të vetpërdoret si gjethe fiku për sjelljet agresive e destabilizuese të Serbisë.
Në një kohë kur Presidenti i Kroacisë, Presidenti i Malit të Zi, anëtarët boshnjak dhe kroat të Presidencës së Bosnje & Herzegovinës, Presidentja e Kosovës, po denoncojnë publikisht e ndërkombëtarisht A. Vuçiq si kërcënues serioz i stabilitetit rajonal e luftënxitës, i vetmi avokat i tij mbetet Edi Rama i Shqipërisë.
Edi Rama i konsideroi dje nga Prishtina, qytetarët serb në veri të Kosovës si pengje prej ndalimit të dialogut Kosovë-Serbi, duke vënë shenjën e barazimit në përgjegjësi midis A. Kurtit dhe A. Vuçiq.
Me këtë qasje, mund të kuptohet fare mirë se çfarë ndjeshmërie, perceptimi e vlerësimi ka Edi Rama ndaj Kosovës e qeverisë së saj.
Ai nuk le rast pa e demonstruar atë!