Me rastin e 8 marsit Qendra e Librit dhe Leximit organizoi një takim mes botuesve dhe shkrimtareve gra. Në një intervistë për Report tv, shkrimtarja Helena Kadare tregon se çfarë ndihmon në emancipimin e një gruaje dhe pamundësinë e të qenit plotësisht e lirë në diktaturë.
“Liria e jashtme e një gjenerate të tërë i përket lirisë së brendshme të një individi”, thotë Helena Kadare, duke cituar një fragment nga libri i saj “Kohë e pamjaftueshme”.
Një festë-protestë ajo e 8 Marsit, që mblodhi në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit personalitete gra të letrave shqipe. Mes të ftuarave, përkthyesja dhe shkrimtarja Helena Kadare, e cila rrëfen nëse të qenit grua në Shqipëri mes dy sistemeve është perceptuar nga vetë ajo si fat, sfidë apo peshë…
“Personalisht e quaj një sfidë. Kujtoj se 8 Marsi në kohën e diktaturës na ishte kthyer në një ditë propagandistike, ku ne kryesisht hanim dreka jashtë. Një gjë që se bënim dot gjatë gjithë vitit. Dhe e gjitha kjo më krijonte një trishtim. Një festë grarishte. Gjë që sot ndryshoi plotësisht dhe më pëlqeu shumë ky takim”, shprehet Helena.