Gjatë ditës së djeshme, teksa në Kosovë po votohej për deputetët e Kuvendit, televizioni publik kroat, HRT, ka bërë një gafë, duke e ilustruar lajmin për zgjedhjet në Kosovë me flamurin e Serbisë.
Përderisa moderatorja po e lexonte lajmin: “Në Kosovë sot mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, për herë të pestë në 12 vitet e fundit”, në prapaskenë në ekran shfaqej flamuri i Serbisë.Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar deputetja e Kuvendit të Kroacisë, Ermina Lekaj – Përlaskaj, e cila përfaqëson komunitetin shqiptar dhe 4 komunitete të tjera në Parlamentin kroat.
Këtë veprim të HRT-së, Ermina Lekaj-Përlaskaj e ka quajtur “skandaloz”.Gjatë ditës së sotme, ajo ka njoftuar se bashkë me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapollin, kanë vizituar zyrat qendrore të Radio Televizionit Publik, HRT, dhe ka takuar drejtorin e përgjithshëm Kazmir Baçiç, si dhe redaktorët përgjegjës të këtij televizioni.
Lekaj-Përlaskaj ka treguar se nga drejtuesit e HRT-së kanë kërkuar të kërkojnë falje publike për gabimin e bërë dhe se ata kanë premtuar një gjë të tillë.“Gjithashtu kërkuam që të fillojnë procedurat disiplinore ndaj tre punëtorëve që “pa dashje” bënë këtë lëshim”, thuhet në reagimin e saj në profilin e saj në Facebook.