Lëvizja “5 Yje”, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës të ekzekutivit të Mario Draghit mund të ketë marrë financime sekrete nga qeveria venezuelane e Hugo Chavez.
Lajmi i fortë që ka tronditur politikën italiane ka dalë nga burgu Estremera në Spanjë ku ndodhet nën arrest, ish kreu i shërbimeve të inteligjencës në qeverinë Chavez i akuzuar për krim të organizuardhe trafik droge e armësh.
Sipas medieve spanjolle, Hugo Carvajal, ish kreu i inteligjencës sekrete e ushtarake venezuelane, i ka dorëzuar dokumente top sekret magjistraturës spanjolle ku dëshmohen financimet e dhëna ndaj Lëvizjes 5 yje.
Financimet sekrete janë dhënë dhe për lëvizjen spanjolle Podemos, dhe për lider të ndryshëm latinoamerikanë. Deklaratat e ish kreu të shërbimeve sekrete i janë bërë përmes një letrë gjykatësit Manuel García-Castellón, e ku thuhet se “qeveria venezuelane për 15 vite ka financuar ilegalisht qeveritë e lëvizjet e së majtës në botë.”
“Një shembull se si lëvizjet komuniste në botë janë financuar nga regjimi i Maduros, është Levizja “5 Yje”, rrëfen Carvajal. Përmes themeluesve të saj Gianroberto Casaleggi e Beppe Grillo është realizuar unaza lidhëse e këtij financimi me një valixhe me 3.5 milionë euro dorëzuar nga ministri i brendshëm venezuelan i asaj kohe, Tareck el-Aissami. E kjo shumë ishte autorizuar nga ish ministri i jashtëm Nicolás Maduro”.
Publikimi i lajmit ka tronditur politikën italiane e kreu i Partisë Fratelli d’Italia, Giorgia Meloni ka kërkuar publikisht të zbardhet ngjarja, duke apeluar liderin e ri të Lëvizjes 5 Yje, ish kryeministrin Giuseppe Conte, të distancohet politikisht nga diktatura komuniste e Karakas.
Ndërkohë djali i themeluesit të “5 Yjeve’, Davide Casaleggio, është shprehur se “babai i tij nuk ka marrë kurrë financime nga Venezuela e se dokumenti i bërë publik është fotoshop-ato.