Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje [LVV], Sali Zyba i është kundërpërgjigjur deputetës së Partisë Demokratike të Kosovës [PDK], Ganimet Musliut, për deklaratën e saj ku bënte thirrje që të mos dërgohen mjete financiare në Fondin e Sigurisë.
Zyba ka thënë se thirrjet e Musliut në këto kohë të kërcënimeve të Serbisë dhe rrethanave të tjera, janë shqetësuese dhe skandaloze.
“Në kohën e kërcënimeve të përditshme nga Serbia, të rrethanave të reja globale për shkak të luftës në Ukrainë, në kohën e një pasigurie globale, pra mu në kohën kur më shumë se kurrë kemi nevojë për siguri e për të cilën gjë e kemi edhe FSK-në, të shkosh në mërgatë dhe t’i bësh thirrje mërgatës për sabotim të Fondit për Siguri të krijuar nga Qeveria e Kosovës, është më shumë se skandaloze dhe jashtëzakonisht shqetësuese.”, ka shkruar Zyba në Facebook.
Zyba e ka krahasur Musliun me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Nëse ka pasur përbashkim shoqëror e politik në Kosovën e pasluftës ajo është padyshim Ushtria e Kosovës dhe forcimi i saj, por sot për këtë gjë fatkeqsisht të pakënaqur krahas Vuçiq-it e Serbisë na paska dale edhe deputetja e PDK-së Ganimete Musliu. E kam të pamundur ta kuptoj motivin e kësaj thirrje.”, ka thënë ai.
Kujtojmë që Fondi i Sigurisë u hap nga Qeveria Kurti në mënyrë që të mblidhen para dhe me to të ndihmohet Forca e Sigurisë së Kosovës [FSK].
Deri më tani Ministria e Financave asnjëherë nuk ka treguar se sa para janë mbledhur në këtë fond.