Skulpturat me pamje të ‘diskutueshme’

Në Kosovën e pasluftës u ngrenë shtatore dhe buste të shumta të personaliteteve të ndryshme. Shpeshherë, ato nxitën diskutime se a i ngjajnë apo jo personit për nder të të cilit ishin ngritur. Numri i saktë i skulpturave nuk dihet, por ato janë me mijëra. Për shumë nuk janë të qarta as kriteret e vendosjes së tyre e disa janë larguar pas kritikave, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Një prej skulpturave të vendosura shumë vite më parë është ajo e ish-udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, në Prekaz të Skenderajt.

Ky bust, që është kritikuar shpesh për pamjen e tij, ka nxitur edhe kritika ndaj institucioneve komunale e qendrore që nuk e kanë zëvendësuar atë me një tjetër.

Përveç kësaj shtatore në Prekaz, një shtatore tjetër e Adem Jasharit ishte vendosur në Malishevë. Por, pas kritikave të shumta, ajo ishte larguar.

Në vitin 2020 në parkun e qytetit të Pejës u vendos shtatorja e medaljistes së artë Olimpike të Kosovës, xhudistes Majlinda Kelmendi.

Pas inaugurimit, për këtë shtatore u bën komente të ndryshme, përfshirë kritika për madhësinë e saj dhe se ajo nuk i përngjante xhudistes.

Një bust që mund të mos bie shumë në sy për shkak të vendit ku është vendosur, në lagjen Dardania në Prishtinë, është ai i ish-senatorit amerikan, Bob Dole. Por, çfarë bie në sy në skulpturë është gishti në fytyrën e Dole.

Busti i Dole u vendos në vitin 2020, me rastin e shënimit të 30 vjetorit të vizitës së delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga ai.

Në fund të vitit 2009, në lagjen Dardania në Prishtinë u vendos kjo shtatore e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

Kjo shtatore dhe vendndodhja e saj kanë nxitur diskutime të shumta.

Gjatë vizitave të tyre në Kosovë, Bill dhe Hillary Clinton vizituan statujën. Hillary Clinton bëri një fotografi pranë saj.

Një bust – që për nga përmasat nuk është edhe aq i madh – i ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, u vendos në Prishtinë në vitin 2019.

Për bustin pati mendime të ndryshme.

Albright, e vizitoi atë në vitin 2019, në shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Një skulpturë tjetër që ngjalli shumë debat është ajo e Faik Rexhepit, i cili në protestat e vitit 1999 u ul këmbëkryq pak metra larg hotelit Grand në Prishtinë.

I punuar nga një studente e fakultetit të arteve, skulptura e Rexhepit ngjalli debate të shumta si në rrjete sociale ashtu edhe tek profesionistët e fushës.

Për skulpturën pati koment edhe personi që shkrepi fotografinë, fotografi Hazir Reka, i cili kishte thënë se skulptura “nuk ishte realizuar në mënyrën më të mirë”.