SPAK godet klanet kriminale, 43 urdhër arreste! Mes tyre për vëllezërit Duka, Avdylaj dhe Bami! Në kërkim ish-deputeti i PS, Arben Ndoka! Kontrolle dhe në banesën e Martinajt

Pas zbërthimit të aplikacionit Sky ECC, GJKKO ka firmosur 43 urdhër arreste për personazhe të njohur të botës së krimit, disa armiq të Ervis Martinaj. Nga vëllezërit Leonard e Erlis Duka (armiq të Ervis Martinaj), Astrit dhe Altin Avdylaj, Valter dhe Burim Bami, te Endrit Dokle, Plarent Dervishaj, Fatmir Hyseni i njohur si Doçja, Mir Brruli kushëriri i Pëllumb Gjokës, janë disa prej emrat e personazheve të botës së krimit për të cilët është lëshuar urdhër arrest. Deri më tani mësohet se vetëm 9 masa sigurie janë zbatuar.

Shqiptarja.com ka arritur që të zbardhë emrat e 16 prej tyre, ku mes tyre rezulton edhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka, i cili është në kërkim, dhe vëllai i tij Xhevi Ndoka, të cilit masa i komunikohet në qeli pasi ndodhet në burg për tjetërsimin e pronave në Shëngjin. Në pranga mësohet se kanë rënë edhe Armando Ndreca dhe Elvis Ndreca, vëllai dhe djali i xhaxhait të deputetit socialist Eduard Ndreca. Armando u arrestua më 10 mars për një shtëpi bari në Lezhë, por u la i lirë pasi Gjykata tha se nuk kishte prova që e implikonin.

Urdhër arrest është lëshuar edhe për Lul Berishën ish-kreun e bandës së Durrësit, i cili rezulton i arrestuar më 14 dhjetor 2023 në Spanjë. Burime thonë se përveç Lul Berishës, urdhër arrest është lëshuar edhe për një person tjetër që ndodhet në Spanjë.

Prokuroria e Posaçme nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare, por burime bëjnë me dije se janë 6 zbardhur ngjarje kriminale në afatin kohor nga 2018 deri në 2021. Dosja drejtohet nga prokurori Alfred Shehu, i cili pasi mori vendimin nga GJKKO, dha urdhrin për ekzekutimin e urdhër arresteve. Pjesë e hetimit të kësaj dosje është edhe kreu i SPAK, Altin Dumani.

Dhjetëra forca të RENEA, FNSH, nisën kontrollet prej orës 03:00 të mëngjesit të 17 majit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë, Nikël, Kurbin. Kontrolle u ushtruan në banesën e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe, i zhdukur që prej gushtit 2022. Po ashtu në ‘sitë’ ishin edhe banesat e klanit Duka në Fresk të Tiranës, të cilët të cilët dyshohen si autorë të vrasjes së ish-efektivit të policisë Santiago Malko, mik i Martinaj.

Po ashtu kontrolle pati edhe në Vlorë në banesën e Fatmir Hysenit, në banesën e Albert Zajës, i dënuar me 19 vite burg për vrasjen e Shkëlzen Kastratit. Por, ‘gjuetia’ për bosët e krimit deri më tani ka rezultuar pa sukses, pasi ata nuk janë gjetur në banesat e kontrolluara, ndërsa disa prej tyre dyshohet se fshihen në Dubai.

Fatmir Hyseni nga Vlora është tjetër emër i rëndësishëm për të cilin është lëshuar urdhër arrest. Fatmir Hyseni i njohur ndryshe edhe si “Doçja”,është anëtar i grupit kriminal “Duka” dhe dyshohet i përfshirë në vrasjen e ish-efektivit të policisë Santiago Malko shok i ish bosit të lojrave të fati Ervis Martinaj. Por Hyseni dyshohet i përfshirë edhe në atentatin e përgjakshëm në mbikalimin e Fushë Krujës, ku u vranë Brilant Martinaj nipi i Ervis Martinajt, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Ish-deputeti i PS, Arben Ndoka në tetor të vitit 2018 u arrestua gjatë operacionit “Volvo 4”, si i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash në Shëngjin, por më pas procesi ndaj tij vijoi me arrest shtëpie e detyrim paraqitje. Për tjetërsimin e pronave, në burg janë vëllai i tij Xhevi Ndoka dhe motra Mimoza Ndoka. Emri i Arben Ndokës del tek Metamorfoza, në bisedën mes Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, për eliminimin e armiqve.

16 emrat e zbardhur deri më tani për të cilët janë lëshuar urdhër arreste
1- Leonard Duka – Tirane
2- Erlis Duka – Tirane
3- Astrit Avdylaj – Shijak
4- Altin Avdylaj – Shijak
5- Valter Bami – Kruje
6- Durim Bami – Kruje
7- Endrit Dokle – Durres
8- Plarent Dervishaj – Durres
9- Arben Ndoka, ish-deputeti i PS –  Lezhe
10- Xhevi Ndoka në burg, vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka – Lezhe
11- Fatmir Hyseni alias Doçja  -Vlore
12- Albert Zaja, i dënuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit – Fushe Kruje
13- Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca – Lezhe
14- Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit të PS, Eduard Ndreca
15- Miri Bruli- Shkoder
16- Lulzim Berisha, i arrestuar në Spanjë
Deri tani 9 urdhër arreste të ekzekutuara