SPAK zbarkon në shtëpinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) këtë mëngjes të 6 dhjetorit ka zbarkuar në banesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Konkretisht bëhet fjalë për agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët sipas raportimeve jo zyrtare, kanë shkuar në shtëpinë e Veliajt ku po kryejnë kontrolle.

Emri i Veliajt është në hetim për disa çështje: Inceneratori i Tiranës dhe dosja e famshme “5D”.

Kryebashkiaku u paraqit në prill të këtij viti pranë ambienteve të SPAK ku qëndroi për gati shtatë orë.

Duke i quajtur hetuesit e Prokurorisë së Posaçme si “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”, Veliaj tha se është treguar bashkëpunues me SPAK-un.

Kjo qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm.

Sakaq kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se qytetari i parë i Tiranës u pyet nga hetuesit e SPAK për aferën e Inceneratorit të Tiranës.

E kjo jo në cilësinë e kolegut dhe bashkëpunëtorit – ashtu siç deklaroi Veliaj – por për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës.

Sakaq sa i takon dosjes së “5D-së”, tre drejtorë të Veliaj ndodhen në burg.