“Stop plazhit me rroba, vetëm me bikini”, kryebashkiakja italiane “provokon” myslimanët

Kryetarja e një bashkie italiane ka nxitur polemika në vend me deklaratën e saj kundër praktikës së hyrjes në det me veshje të tjera përveç rrobave të banjës dhe bikinit.

Anna Maria Cisin ka nxitur kryesisht reagimet e myslimanëve, pasi deklarata e saj për qëndrimin në plazh me rroba si të papranueshme, ishte ngacmuese për ta.

“Është një destinacion turistik dhe për këtë arsye sjellja e të huajve myslimanë që zakonisht hyjnë në ujë me rrobat e tyre, është e papranueshme. Një praktikë që po shkakton konfuzion dhe që krijon pasoja të padurueshme për kodin e mirësjelljes”, tha ajo.

Në një letër të hapur drejtuar komunitetit lokal mysliman, kryebashkiakja e Monfalcone shton: “Ata që vijnë nga realitete të tjera nga tonat, kanë detyrimin të respektojnë rregullat dhe zakonet“.

“Duhet të pushojë praktika e daljes në plazh dhe futjes në ujë me veshje të tjera përveç rrobave të banjës. Nuk mund të pranohen format e islamizimit të territorit tonë, të cilat shtrijnë praktika me vlera të dyshimta nga pikëpamja e dekorit dhe higjienës”, pohon në mënyrë të detyrueshme Cisin, anëtare e Lega Nord.

Kryetarja e bashkisë më tej shkruan: “Sjellja e dëmshme për respektin dhe dinjitetin  e nevojshëm në frekuentimin e këtyre vendeve publike ndikon negativisht në atraktivitetin dhe ka pasoja për drejtuesit e shërbimeve. Kjo sjellje e papranueshme ndodh në një kontekst në të cilin ka dëme gjithnjë e më të mëdha ndaj normave, parimeve dhe formave që rregullojnë jetën e komunitetit, duke rrezikuar kështu zgjerimin e përçarjes në marrëdhëniet midis shumicës dërrmuese të banorëve të Monfalcone-së dhe komponentit islamik.”