Danilo Kaleziç, studiues i lartë në Institutin Historik të Malit të Zi – një nga institucionet më të vjetra shkencore në Mal të Zi – në një prononcim për televizionin malazez “Grandska”, tha se politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor ka dështuar përgjatë viteve të fundit.
Teksa ka komentuar paralajmërimet e komunitetit ndërkombëtar se do të ketë pasoja për Kosovën, pasi ekzekutivi kosovar të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan, tha se SHBA-të po bëjnë “gabime sistematike”.
“Ballkani Perëndimor nuk është në listën e prioriteteve amerikane, gjë që nuk mund të jetë një justifikim për faktin se Uashingtoni nuk është përkushtuar tërësisht ndaj Ballkanit Perëndimor”, konsideroi fillimisht Kaleziç, ndërsa shtoi se politika e jashtme amerikane “po përjeton fiasko”.
Kaleziç ndër të tjera theksoi se zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, i plotësuan të gjitha standardet demokratike, teksa kujtoi edhe deklaratën e Emisarit Special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se administrata amerikane do t’i njoh rezultatet e atyre zgjedhjeve.
Megjithatë, ai konsideroi se tash Departamenti i Shtetit, po tërhiqet nga ndëshkimi i politikës bullizuese të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe po e bënë armik Kosovën, pas thirrjeve që kryeministri Albin Kurti ta ndryshojë kursin, ngase “do të ketë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe”.
“Këtu përsëritet gabimi sistematik: ju i bëni armiqë partnerët natyrorë, siç është qeveria në Prishtinë dhe qeveritë e tjera në rajon dhe ju kërkoni aleatë nga një regjim që është thellësisht i korruptuar dhe nën kontrollin e thellë të Rusisë”, tha Kaleziç.
Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta ndryshojë kursin, ngase “do të ketë pasojë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe” dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do t’i ndezë tensionet dhe do ta nxisë konfliktin.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo i ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”, thuhej në deklaratën e DASH-it.
“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”.
Edhe vetë sekretari Blinken, ka qortuar ashpër ekzekutivin kosovar, për “masa të dhunshme” në veri të vendit, duke i bërë thirrje kryeministrit Kurti që të rifokusohet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.