Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, tha të shtunën se një vizitë e planifikuar e homologut të tij suedez, Pal Jonson, në Ankara është anuluar, pasi autoritetet suedeze kanë dhënë leje për mbajtjen e protestave në Stokholm.
“Në këtë pikë, vizita e ministrit suedez të Mbrojtjes, Pal Jonson, në Turqi më 27 janar është bërë e pakuptimtë, prandaj ne e anuluam vizitën”- tha ministri turk.
Ministri Jonson kishte planifikuar që javën e ardhshme të udhëtonte në Ankara me ftesën e homologut turk, kur shteti i Evropës Veriore po shpreson që ta shtyjë Turqinë për ta ratifikuar aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO, raporton agjencia “Reuters”.
Akar-i tha se e ka diskutuar mungesën e masave për protestat në Suedi kundër Turqisë me presidentin turk, Rexhep Erdogan, dhe se ia ka përcjellë reagimin e tij homologut suedez gjatë një takimi të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
“Është e papranueshme që të mos bëhet një lëvizje ose të mos reagohet ndaj atyre [protestave]. Gjërat e nevojshme duhet të bëhen, masat do të duhej të merreshin”- tha ministri turk, sipas një deklarate të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.
Të premten, Turqia e ftoi në takim ambasadorin suedez për shkak të dhënies së lejes nga autoritetet suedeze për mbajtjen e një proteste, në të cilët do të digjet libri i shenjtë, Kurani, afër ambasadës turke në Stokholm. Protesta pritet të mbahet të shtunën.