Sulmi i Ukrainës në depon ruse vështirëson bisedimet, thotë Kremlin-i

Dmitry Peskov deklaroi të premten e 1 prillit se “sulmi ukrainas” kundër një depoje karburanti në qytetin rus të Belgorod-it nuk krijoi kushte komode për të vazhduar bisedimet e paqes me Kiev-in.

Autoritetet ruse akuzuan Ukrainën se kishte sulmuar depon, por autoritetet ukrainase nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Njoftimi i zyrtarit rus erdhi gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në një konferencë telefonike.

Peskov theksoi se autoritetet po bënin gjithçka për të riorganizuar zinxhirin e furnizimit me karburant dhe për të shmangur ndërprerjen e furnizimit me energji në Belgorod.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës nuk e konfirmoi “përgjegjësinë” për sulmin në Belgorod.

Njoftimi u bë i ditur nga dy gazetarët e së përditshmes gjermane “Bild”, Julian Ropcke dhe Filipp Piatov.

“Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës i thotë kolegut tim Piatov, se ‘nuk e ka këtë informacion’ që forcat ukrainase sulmuan një depo nafte në rajonin e Belgorod-it, duke lënë të kuptohet se sulmi mund të jetë një flamur i rremë rus për të justifikuar sulme të mëtejshme brutale në vend”, shkruan Ropcke në Twitter.

Dy nga helikopterët ushtarakë të Ukrainës goditën një depo karburanti në qytetin rus të Belgorod-it të premten e 1 prillit.

Ky ishte lajmi i agjencisë “Reuters” që citonte guvernatorin rajonal Vyacheslav Gladkov.