Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër sulmin vandal ndaj Konsullatës së Republikës së Kosovës në Kopenhagë, Danimarkë.
Objekti ku ndodhet Konsullata e Republikës së Kosovës në kryeqytetin danez është sulmuar të hënën, me ç’rast është hedhur, dhe më pas edhe është vjedhur nga vandalët flamuri i Republikës së Kosovës.
Bazuar në vëzhgimin e situatës nga Konsulli i Kosovës në Kopenhagë, vandalizmi ishte i organizuar, pasi dorasit kishin me vete edhe mjetet e nevojshme për të kryer vandalizimin dhe për t’iu qasur flamurit.
Me këtë rast, Konsullata e Kosovës ka njoftuar menjëherë Policinë daneze, ndërsa Ambasada e Republikës së Kosovës ka shkruar një Notë Verbale për autoritetet daneze dhe ka kërkuar që sa më shpejt të identifikojë autorët e këtij vandalizimi dhe ata të dalin para drejtësisë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konsideron se fakti që Kosova sulmohet në prezencën e saj diplomatike, dëshmon edhe njëherë se puna e institucioneve dhe misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës është pengesë për agjendat e dikujt. Angazhimi ynë nuk do ndalojë, pavarësisht akteve të tilla vandale. Prandaj, si Ministri e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, inkurajojmë të gjithë diplomatët që të vazhdojnë të jenë në krye të detyrës së tyre, duke avancuar interesin e Republikës së Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj”, thuhet në reagimin e MPDJ-së.