Sveçla: Kam kërkuar nga policia angazhim maksimal për hetimin e rastit të 26 vjeçarit

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me rastin tragjik që ndodhi mbrëmë tek Qendra e Studentëve, ku një 26 vjeçar humbi jetën.

Sveçla tha se momentet e këtilla janë të vështira për të gjithë, e në radhë të parë për familjen, të cilëve u shpreh ngushëllime.

Ai tha se ka kontaktuar drejtin e policisë dhe ka kërkuar angazhim maksimal të policisë në hetimin e këtij rasti, duke i bërë thirrje edhe Prokurorisë që të trajtojë këtë rast me prioritet absolut, duke shpresuar që rastet e tilla të mos përsëriten, transmeton Indeksonline.

Reagimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Dje jemi ballafaquar të gjithë, si individë, si familjarë, si institucione e si Republikë me lajmin tragjik mbi shuarjen e një jete të re. Momentet e këtilla janë të vështira për të gjithë, e në radhë të parë për familjen. Me këtë rast dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Musliu.

Momentet e këtilla kërkojnë reagim të menjëhershëm të institucioneve të rendit dhe po ashtu, solidaritet të gjithë shoqërisë me dhimbjen e familjes.

Dua t’ju informoj që në pajtim me kompetencat e mia, kam kontaktuar drejtorin e Policisë dhe kam kërkuar angazhim maksimal të Policisë në hetimin e këtij rasti. Ju siguroj që të gjitha masat që janë në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të ndërmerren pa asnjë hezitim.

Me këtë rast i bëj thirrje Prokurorisë që ta trajtojë këtë rast me prioritet absolut dhe shpresoj që rastet e këtilla të mos përsëriten.