Ish-deputeti serb dhe kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, teksa ka komentuar pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Samitin për Ukrainën në Tiranë, ka thënë se Vuçiç ndodhet në të njëjtën tryezë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për shkak të presionit të ndërkombëtarëve.
“Nuk do të ketë diçka të rëndësishme që do të përmbajnë mesazhet e Vuçiç-it, pasi pak ditë më parë ai foli për çështjen e Tajvanit dhe tha se Kina duhet ta pushtojë Tajvanin dhe ky është një mesazh për Kosovën. E vetmja zgjidhje që ai sheh për Kosovën është pushtimi i saj nga Serbia si pushtimi i Ukrainës nga Rusia”, tha Çanak në një intervistë për EuroNews Albania.
Çanak tutje ka theksuar se nuk beson që Vuçiç do t’i ndryshojë mesazhet e tij në mënyrë të hapur, derisa ka shtuar se nga ana tjetër nëse Ukraina arrin ta ruaj integritetin e saj territorial, “do jetë një mesazh se Rusia po e humbet luftën dhe tensionet në Ballkan do të qetësohen”.
“Por, jam i sigurt që aspiratat e Kremlinit nuk kanë kufij, sepse askush nuk pret në Evropën Perëndimore që konfliktet e armatosura të ndodhin në kontinentin e vjetër, pasi duket hapur që Evropa nuk është në gjendje të vetëmbrohet pa ndihmën e Amerikës”, potencoi ai.