Forcat e armatosura të Kinës mund t’i bllokojnë portet dhe aeroportet kyçe të Tajvanit, tha të martën Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit, duke e theksuar atë që e cilëson kërcënim të madh që e paraqet fqinji i madh.
Kina kurrë nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta marrë nën kontroll ishullin e qeverisur në mënyrë demokratike dhe së fundi i ka shtuar aktivitetet ushtarake përreth tij, përfshirë dërgimin e aeroplanëve luftarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit.
Në raportin që publikohet çdo dy vjet, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se Kina e ka nisur të ashtuquajturën luftë të zonës së hirtë, duke i përmendur 554 rastet e hyrjes së aeroplanëve luftarakë kinezë në zonën e mbrojtjes ajrore nga shtatori i vitit të kaluar deri në fundin e gushtit të këtij viti.
“Tash për tash, PLA-ja (Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës) ka aftësi që të performojë bllokadë të përbashkët lokale kundër porteve kritike, aeroporteve kritike e rrugëve të jashtme të fluturimeve, që t’i ndërpresë linjat tona ajrore e detare të komunikimit dhe të ndikojë në rrjedhën e furnizimeve tona ushtarake e burimeve logjistike”, tha Ministra e Mbrojtjes.
Në tetor, Tajvani raportoi se 148 aeroplanë të forcave ajrore kineze janë futur në zonat jugore dhe juglindore për një periudhë 4-ditore, duke shënuar një eskalim dramatik të tensioneve mes Taipeit dhe Pekinit.