Në Bruksel u mbajt një takim mjaft i ashpër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE. Takimi përfundoi pa shënuar asnjë afrim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha pas takimit se ky ishte një prej takimeve më të vështira që ka pasur prej fillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve mes këtyre dy vendeve. Takimi i përbashkët në Bruksel u mbajt me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe pas konsultimeve në takimet e ndara me delegacionet e Kosovës dhe atij të Serbisë.
Por në fund nuk pati asnjë dakordim për asnjë çështje të shtuar sot. “Delegacioni i Prishtinës kërkonte vetëm njohjen e Kosovës dhe asgjë tjetër”, tha Vuçiq, i cili gjatë deklaratës së tij shpesh bënte pauza dhe përpiqej të formulonte mendimet.
Takimi pranë incidentit
Por nga deklarata e tij, e më pas edhe e kryeministrit Kurti u pa se bisedimet kanë qenë jo vetëm të pafrytshme, por shpesh me tensione, e që disa persona të afërt me delegacionet e quajtën madje edhe në buzë të incidenteve. “Ishte mirë që kemi pasur një distancë prej dy metrash”, tha Kurti, në pyetjen a ka pasur ndonjë incident. Për dallim prej Vuçiqit, i cili mendon se kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës është një qëndrim ekstrem, Kurti tha se pala kosovare ka qenë shumë konstruktive dhe se “Serbia do të duhej të lirohej nga e kaluara e vet dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.”
Belgien Albin Kurti, Ministerpräsident vom Kosovo
Ne kemi pasur qëndrim konstruktiv, tha kryeministri Kurti, i cili në bisedime ishte bashkë me zëvendësin e tij Besnik Bislimi. “Treguam qëndrimin tonë kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme Dhe shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjelltë. Ndërsa takimi i radhës do të mbahet me 25 korrik”, shpjegoi Kurti në fillim duke shtuar se ai ka paraqitur katër kërkesa:
Kërkesat e Albin Kurtit
Që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ta avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të marrëveshjes që kanë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda me BE -në. Që Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Që pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e të drejtave të pakicave. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët në Serbi. Dhe që për çështjen e të pagjeturve e të zhdukurve me dhunë, të largohen nga pozita personat që duhen marrë në pyetje për krime, siç janë Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe Zoran Angjelkoviq.
Kryeministri i Kosovës tha se për propozimin e tij të parë nuk ka marrë përgjigje të qartë, ndërsa tri propozimet e tjera janë refuzuar. I pyetur se cili është qëndrimi i tij ndaj kërkesave për themelimin e Asociacionit me shumicë serbe, Kurti tha se Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë marrëveshjen e mëparshme, në 23 pika. Ndërsa edhe populli i Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik. Ndërsa në pyetjen e DW nëse Kosova do të ngrejë padi kundër Serbisë për gjenocid, të cilën e ka thënë disa herë ai në prag të bisedimeve të sotme, kryeministri u përgjigj se ata janë në përgatitje të dokumentacionit dhe se për këtë kanë nevojë për koordinim të mëtejshëm.
Pala serbe e quan provokim qëndrimin e Kurtit
Ndërsa presidenti i Serbisë dukej i hutuar pas takimit. Ai tha se Albin Kurti ka ardhur në Bruksel për të thënë “se nuk do të arrijë marrëveshje për asgjë” dhe se gjatë këtij takimi ka pasur “provokime”, “papërgjegjësi” e “joseriozitet të palës serbe”.
“Sinqerisht nuk di çfarë t’iu them. Nuk kam marrë pjesë në asnjë takim tjetër si ky. Vetë kohëzgjatja e takimit flet për atë se cilat ishin rezultatet e këtij takimi. U pajtuam që në fund të korrikut të vazhdojmë dialogun. Shpresoj se kjo është një gjë e rëndësishme, e cila mund të garantojë paqen dhe stabilitetin, gjithçka tjetër do të ishte e panevojshme për t’u komentuar”, theksoi Vuçiq.
Megjithatë, Vuçiq vazhdoi më pas se janë tri lajme të rëndësishme nga ky takim: E para se delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet, të cilat i ka nënshkruar dhe nuk duan të diskutojnë për Asociacionin e Komunave Serbe. E dyta, kërkesa e tyre që urgjentisht dhe menjëherë të njohim Kosovën e pavarur. Dhe e treta, fakti që ata e quajnë incident dhe provokim pjesëmarrjen e serbëve në një liturgji në Prishtinë. Këto kërkesa, sikur edhe kërkesën që nga delegacioni për kërkimin e të pagjeturve të largohet Velko Odaloviq, Vuçiqi i quajti si “mungesë e realitetit, seriozitetit dhe përgjegjësi”.
Megjithë mosmarrëveshjet e shumta dhe “takimin buzë incidentit”, siç u shprehën disa nga pjesëmarrësit, palët janë dakord për vazhdimin e bisedimeve. Përfaqësuesit e BE thonë se takimi nuk ka qenë fare i lehtë. “Por me rëndësi është që dialogu ka vazhduar”, theksoi ndërmjetësi Miroslav Lajçak.
BE: Palët konfirmuan dialogun si rrugën e vetme
“Të dy liderët kanë qenë shumë të hapur dhe të drejtpërdrejtë në shprehjen e mendimeve të tyre, se çfarë duan dhe çfarë presin nga dialogu. Për BE është me rëndësi që të dy palët e kanë konfirmuar se nuk ka ndonjë rrugë tjetër për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përveç dialogut”, theksoi Lajçak. Lajçak tha se të dy palët do të vazhdojnë konsultimet për vazhdimin e procesit të dialogut për normalizimin e përgjithshëm të raporteve dhe se dialogu do të vazhdojë në fund të korrikut.
Ndërsa shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka bërë të ditur para takimit se ai do të vazhdoj konsultimet edhe me partnerët amerikanë për këtë çështje, pasi pas takimit me delegacioniet e Serbisë dhe Kosovës, ai është takuar edhe me presidentin e SHBA Josep Biden. Shefi i delegacionit serb në bisedime dhe përfaqësuesi i zyrës për Kosovës e Metohi, Petar Petkoviq, në kohën sa po zgjaste takimi doli para gazetarëve serbë dhe tha se ndërkohë ka dhe konsultime të BE-së me SHBA për këtë dialog dhe se pozicioni i Serbisë nuk është i lehtë. Por, siç tha ai, Serbia do të vazhdojë betejën e saj. Takimi i radhës do të mbahet me 25 korrik në Bruksel./DW