Takimi Zaev – Ahmeti, ‘çka po zihet’ për formimin e Qeverisë së re?!

Liderët vazhdojnë takimet me qëllim sigurimin e shumicës së re Parlamentare. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev mësohet të ketë takuar përsëri sot kreun e BDI-së, Ali Ahmeti por palët nuk japin më shumë hollësi nga takimi. Zaev mbi negociatat ka folur edhe në takimin me Ambasadoren gjermane në Shkupt, Anke Hollshtjan.

“Për shkak të bisedimeve me BE-në dhe për shkak të sigurisë ekonomike nevojitet shumicë e qëndrueshme parlamentare dhe Qeveri e sigurt që do ta çojë vendin përpara”, thekson LSDM.

Negociatat po i zgjeron edhe VMRO-DPMNE-ja. Nga ky subjekt thonë se nuk kanë koment për informacionet nëse kanë përafruar qëndrime me BDI-në për shumicë të re ose jo, por kërkojnë nga LSDM-ja të dëshmojë para opinionit pretendimet se ka arritur të sigurojë shumicën e votave në Kuvend.

“Shohim se LSDM dhe Zaev thonë se kanë shumicë, por këtë nuk e konfirmojnë partitë e tjera. I bëjmë thirrje publike LSDM-së që ta bëj publik koalicionin dhe partitë me të cilat ka formuar shumicë sepse fjalët që i dëgjuam mbrëmë se kanë shumicë nuk janë bazë e mjaftueshme për Qeveri por i duhen së paku 61 deputet”- dekalroi Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Në ditën e konstituimit të Kuvendit, liderët njoftuan vazhdimin e negociatave në kuadër të grupeve negociuese, megjithatë formati i tyre akoma nuk bëhet i ditur. Jo zyrtarisht ishte thënë se bisedimet për ndarjen e resorëve do të vazhdojnë në nivel nënkryetarësh por deri tani asnjë subjekt nuk ka njoftuar përbërjen e trupit për bisedime. Nga 4 gushti ka nisur rrjedhja e afatit për sigurimin e shumicës, ndërsa më 14 gusht pritet që Presidenti Stevo Pendarovski mandatin t’ia besojë partive që kanë siguruar të paktën 61 vota në Kuvend./Alsat-M