Të premtën vonë, rreth orës 21:00, Qeveria e Kosovës po aprovonte masa shtesë për parandalimin e epidemisë COVID-19, teksa në të njëjtën kohë Muhamet Sejdiu, këngëtar 54-vjeçar nga Gjakova, po performonte brenda një salle hoteli në Gjilan.
Dhjetëra njerëz po argëtoheshin me muzikë live në ambientet e hotelit/restorantit “Astoria Luxury”, një nga hotelet më të shtrenjta të Gjilanit, duke i shpërfillur rekomandimet që qeveria po i aprovonte kundër koronavirusit në mbledhjen e jashtëzakonshme në Prishtinë. Dy raste pozitive me këtë virus u konfirmuan po të premten pasdite.
Të pranishmit nuk ishin në dijeni që Muhamet Sejdiu, këngëtari që ndodhej para tyre, gjatë fillimit të javës së kaluar kishte kryer analizat mbi dyshimet për infektim nga koronavirusi. 54-vjeçari ishte rikthyer nga Gjermania të hënën e 9 marsit.
Por, ata nuk po e përfillnin as rekomandimin e Qeverisë së Kosovës, i cili u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që “t’u shmangen ambienteve të frekuentuara me njerëz”. Zyrtarët e restorantit nuk po e përfillnin vendimin e sapo marrë të qeverisë për t’i dhënë fund aktivitetit të tyre.
Madje, burime të Insajderit kanë treguar se gjatë ndejës këngëtari dhe të pranishmit janë tallur me virusin korona, i cili ka infektuar 20 persona në Kosovë.
Në ahengun e së premtës ishin të pranishëm 50 persona, raportuar mediet të mërkurën.
Këngëtari Muhamet Sejdiu dhe bashkëshortja e tij janë dy rastet e fundit që dolën pozitiv me Koronavirus. Tashmë ka shkuar në 19-të numri i të prekurve me COVID-19 në Kosovë.