Të afërmit e Orbanit në Hungari përvetësuan fondet e BE-së

Pas koncertit në Festivalin Sziget të Hungarisë gjatë muajit të kaluar, ylli i muzikës pop, Justin Biber, organizoi alamet ahengu për stafin e tij në pronën luksoze – kështjellën e shekullit XIX në pronësi të dhëndrit të kryeministrit, Viktor Orban.

Kështjella, për kritikët e Orbanit është emblemë e korrupsionit, nepotizmit dhe bollëkut, për të cilat lideri dhe Qeveria e tij janë akuzuar me vite – lloj sjelljeje që tani mund t’ia pamundësojë Hungarisë miliarda euro nga fondet e Bashkimit Evropian.

Duke qëndruar anash portave të hekurta të Kështjellës Schossberger, një deputet i pavarur hungarez, që bëri emër si kryqtar kundër korrupsionit, shkrepi fotografi të strukturës dhe oborrit të gjerë të kështjellës.

Ish-anëtari i partisë Fidesz të Orbanit, Akos Hadhazy, e braktisi partinë nacionaliste në vitin 2013, pasi mori vesh për atë që ai e përshkruan si sistem klientelist të korrupsionit të pakontrolluar që po merrte formë në shtetin e Evropës Qendrore.

“Kur Fidesz erdhi në pushtet, pash shumë e më shumë organizata serioze që nisën të zhvilloheshin nëpërmjet shtetit, detyra kryesore e të cilave ishte që të vidhnin sa më shumë para të Bashkimit Evropian”, thotë Hadhazy për agjencinë e lajmeve “The Associated Press”.

Tani, Orbani po përballet me BE-në, e cila ka vendosur pengesa financiare ndaj Qeverisë së tij në lidhje me shqetësimet për korrupsion dhe shkeljen e sundimit të ligjit që mund t’i kushtojnë Budapestit miliona euro në kohën kur po përballet me krizën ekonomike.

Krahu ekzekutiv i BE-së, Komisioni Evropian, për më shumë se një dekadë ka akuzuar Orbanin për shpërbërje të institucioneve demokratike, kontroll të medias dhe shkeljen e të drejtave të minoriteteve. Orbani, i cili është në krye të pushtetit që prej vitit 2010, ka mohuar akuzuat.

Konflikti i kamotshëm do të shpërthejë të dielën kur komisioni pritet të njoftojë tkurrjen e fondeve për Hungarinë, një nga përfitueset më të mëdha të BE-së, nëse shteti nuk ndërron udhë.

Ani pse nuk është e qartë se sa para do të humbasë Hungaria, ndalesa e fondit të saj prej 22 miliardë eurosh nga buxheti i BE-së për vitet 2021-27 mund të ndikojë në 70 për qind të fondit nga disa programe, thuhet në një dokument të komisionarit për buxhet, Johannes Hahn.

Sipas Hadhazyt, proceset me hile për dhënien e kontratave të tilla ia kanë mundësuar Qeverisë së Orbanit që të kanalizojë shuma të mëdha të parave të BE-së në bizneset e njerëzve të brendshëm me të cilët ai ka lidhje.

Një prej këtyre vendeve ishte edhe objekti i serverëve pranë Budapestit, në të cilin Qeveria ka thënë se do të ruante të dhënat më të rëndësishme të shtetit. Duke marrë më shumë se 50 milionë dollarë fonde nga BE-ja, ndërtimi i objektit – i kontraktuar për një kompani në pronësi të mikut të fëmijërisë së Orbait, i cili është njeriu më i pasur në Hungari – filloi në vitin 2016 dhe ishte planifikuar të përfundonte gjatë vitit të ardhshëm.

Mirëpo kur Hadhazy vizitoi hapësirën të mërkurën, vetëm skeleti prej betoni qëndronte në këmbë, aty ku ishte planifikuar objekti i serverëve. Kjo është shenjë, thotë ai, se fondet janë keqpërdorur.

Ai përmend rastin në të cilin është përfshirë Istvan Tiborcz, pronari i kështjellës në Tura, i cili është i martuar me bijën e Orbanit. Zyra Evropiane Antimashtrim ka gjetur parregullsi serioze në dhënien e fondeve për një kompani që ishte pronë e tij.

Si rezultat i hetimit të zyrës, BE-ja ka kërkuar kthimin e më shumë se 40 milionë eurove. Shuma u financua përfundimisht nga taksapaguesit hungarezë, jo nga kompania e Tiborczit. Hetimi i rastit nga autoritetet hungareze ishte ndalur në mungesë të provave për krime.

Tiborcz ishte personi i 36 në mesin e pasanikëve të Hungarisë, thuhet në një analizë të Forbes Hungary.

Qeveria e Orbanit së fundmi ka bërë përpjekje për pajtim me qëllim që të zhbllokonte gati 6 miliardë euro fonde për këndellje nga pandemia, të cilat BE-ja i ka bllokuar shkaku i shqetësimeve për korrupsion dhe ka vazhduar me bllokadat e fondeve nga buxheti i BE-së për Hungarinë.