Duket se të gjesh partnerin e duhur në rrjetet sociale nuk është gjithmonë mënyra më e mirë, aq më tepër kur paraqitet si një biznesmen i pasur izraelit me emrin Simon Leviev ose Shimon Yehuda Hayut… ose David Sharon.
Dokumentari “The Tinder Swindler” tregon historitë e tri grave, të cilat u mashtruan nga i njëjti burrë, duke përdorur emra të ndryshëm.
Simon Leviev paraqitej fillimisht si i biri i manjatit ruso-izraelit të diamanteve, Lev Leviev dhe CEO i LLD Diamonds, e më pas i joshte vajzat duke u blerë dhurata të shtrenjta, e duke iu ofruar udhëtime me avionin e tij privat. Sapo vajzat mendonin se gjetën partnerin e ëndrrave, ai i mashtronte duke u kërkuar para, pasi ishte në “rrezik” nga armiqtë e tij.
Ajo që dukej si një ëndërr e realizuar shpejt, u kthye në një makth, duke thyer zemrën e një prej viktimave të tij – Cecilie Fjellhoy. Simon arrin të marri në pak kohë mijëra dollarë prej saj, por për pak kohë ajo kuptoi se nuk ishte e vetmja të cilës ai ia theu zemrën dhe i vodhi paratë. Cecilie bashkohet me viktimat e tjera të Simonit me një qëllim të përbashkët, hakmarrjen ndaj tij.
“Mashtruesi i Tinder” u shfaq si premierë në Netflix më 2 shkurt 2022 dhe u bë menjëherë viral, duke kryesuar tabelën javore të filmave të kësaj platforme. Dokumentari që zgjat rreth 1 orë e 54 minuta, përmbledh realitetin e hidhur të kërkimit të dashurisë në internet, të këqijat e rrjeteve sociale dhe skemat joshëse të mashtruesve që thonë gjënë e duhur. IMDb e ka vlerësuar filmin me 7.4/10 pikë, por pritet që vlerësimi të shkojë më lart, pasi dokumentari u transmetua, vetëm disa ditë më parë.