“Asgjë e re nuk ndodhi, asnjë lëvizje që do të na ndihmonte në kalimin e kësaj situate…” – tha Jasharaj, e “Në takim më është thënë ‘kryeministër lëviz’, mirëpo unë kam lëvizur të paktën dhjetë herë…” – tha Kurti. Kush është fajtori?
Kurti më në fund pranoi të takohet me Jasharajn dhe klikën e tij. Por, për asgjë s’u morën e vesh, e faji hidhet si top i nxehtë herë te njëri e herë të tjetri.
“Mund të them se takimi ishte përmbajtjesor mirëpo për momentin asgjë s’kemi ndryshime. …ne insistuam që kjo shuma e përmendur që nuk është pranuar nga asnjë grevist në Republikën e Kosovës, të lëvizë. Ne ishim të gatshëm të bëjmë edhe këtu një kompromis të vogël për hir të situatës, mirëpo Qeveria mbeti te ajo shuma e proklamuar me pakon, dhe po them në këtë situatë nuk ka arritje (të marrëveshjes)” – tha Jasharaj.
Por, Kurti ka një tjetër version të asaj çka ndodhi në takim. E për çdo dështim, fajin ia lë Jasharajt.
“Pra, neve na u tha në takim që për këtë ofertë të qeverisë do të pyetet anëtarësia.
Porsa dolëm nga takimi, deklaruan se greva vazhdon. Kur e pyetën anëtarësinë? Unë nuk e di çfarë anëtarësia është ajo, e cila reduktohet ndoshta në një telefonatë. Më thoshin “Na ndihmo si vëlla”. Si vëlla të ndihmoj privatisht, por unë jam kryeministër” – tha Kurti në konferencë për media.
Kurti s’ishte i gatshëm t’u përgjigjej gazetarëve.
“Faleminderit, e mua më duhet të shkojë në një takim urgjent” – përfundoi Kurti.
Ndërsa ministri i tij u bishtnua kur u pyet se a ka pasur të paktën një kërkesë të Jasharajt që qeveria është e gatshme t’ia realizojë.
“Kërkesat po besoj i dini… Neve na u tha se do të konsultohen me anëtarësinë, por sapo dolën thanë se greva vazhdon. Ne si qeveri kemi bërë maksimumin të shqyrtojmë brenda mundësive t’i trajtojmë kërkesat e të gjithë qytetarëve…” – u shpreh ministri Murati.
Në anën tjetër, kur Jasharaj u pyet ngjashëm “Baba i grevave” ishte i shkurtë në përgjigje.
“A ka pasur ndonjë moment kur Kurti ka lëshuar pe në kërkesat tuaja?” – u pyet Jasharaj pas takimit, i cili u përgjigj prerazi me një “Jo”.
Fillesa e dialogut mund të jetë rezultati i vetëm i takimit.
“…e mira e kësaj është që fillojë dialogu, uroj që kryeministri Kurti dhe të tjerët të mos i mbyllin dyert, të vazhdojmë me dialogun” – shtoi Jasharaj.