Drejtoresha Ekzekutive “Shoqëria Shqiptare për të Gjitha Moshat”, Mira Pirdeni teksa komenti rastin e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në azilin ne Pejës, ku e moshuara dhunohet nga vajzë e re, bëri denoncimin edhe për azilet në vendin tonë.
Në një intervistë për Euronews Albania, ajo tha se në azilin e Tiranës ka pasur raste që të moshuarit janë lidhur me zinxhirë ndërsa në Fier as bukën nuk ua japin.
“Unë jam shokuar nga sjellja e vajzave të reja. Ne e kemi parë këtë skenë në qendrat tona vazhdimisht, të lidhura dhe me zinxhirë. Kemi parë në Tiranë që janë lidhur me zinxhirë ndërsa në azilin e Fierit, kemi parë raste që as bukën nuk ua jepnin.
Ne kemi parë raste të tjera të tilla, por jo të gjitha këto bëhen publike. Nuk është puna vetëm te kamerat, por standardet që monitorohet një shërbim duhet të jenë të fokusuara”- tha ajo.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qendrën për të moshuar “Orenda” në Pejë, ndërsa video e filmuar u përhap menjeherë në mediat sociale.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i autoriteteve të cilët kanë bërë të mundur dhe arrestimin e infermieres, Aurona Pelaj si edhe vajzës që e filmonte.
Të dyja këto të fundit së bashku me dy të tjera janë pezulluar dhe nga puna.
E moshuara e dhunuar është nëna e dëshmorit Taulant Nuraj i cili ka humbur jetën në moshën 17-vjeçare në luftën kundër Serbisë. Në pamjet e publikuara shihet se Pelaj dhunon të moshuarën me shpulla ndërsa në një moment i vendos dhe këmbën në bark.
Veprimi i të resë ndaj të moshuarës ka marrë reagime të shumta në opinionin publik në Shqipëri dhe në Kosovë.