Histeria dhe hiperbolat anti-Perëndimore në televizionet kombëtare ruse nuk mungojnë, por vëmendjen e vërtetë e ka rrokur një prezantuese e një emisioni debati në kanalin Russia 1, ku përtej koreve nacionaliste, ajo kërcënon se NATO duhet të sprapset vullnetarisht, ose do të jenë rusët, ata të cilët do t’i përzënë me forcë, duke iu referuar çështjes së Ukrainës.
Pikërisht mbi këtë të fundit, ajo thekson se sovraniteti i Kievit, “nuk është i garantuar”.
Këtë fakt e raporton ish-gazetari i të përditshmes amerikane “The New York Times” dhe gazetari i Radio Evropa e Lirë në Moskë, Matthew Luxmoore.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, ai ka shpërndarë në rrjet videon e prezantueses ruse, e cila ka përdorur atë gjuhë. Shqetësimi që Luxmoore ngre, është ai i një konfliktimi të vërtetë ushtarak, mes forcave të NATO-s dhe Moskës.
Diçka e tillë në fakt, është paralajmëruar prej kohësh, duke parë tensionet në rajonin e Donbassit.
Pas aneksimit të rajonit të Krimesë në vitin 2014 me anë të një referendumi, vëmendje ka shkuar për nga Donbassi.
Veçanërisht gjatë muajve të fundit, ka pasur një retorikë shqetësuese mbi rajonin.
Vetë Moska, është e vendosur të mos e tërheqë prezencën e shtuar ushtarake në Donbass. Thirrjet e vendeve anëtarë të NATO-s nga ana tjetër, janë të qarta dhe kërkojnë qetësi e stabilitet.
Këtë nga ana tjetër, Rusia jo vetëm nuk e ofron, por e kundërshton. Gjithë situata bëhet edhe më e qartë, kur propaganda e televizionit rus, shkon deri aty sa të kërkojë luftën.
Bashkimi Evropian në bashkërendim me SHBA-të, kanë paralajmëruar prej kohësh sanksione shtesë. Megjithatë, një hap i tillë ende nuk është marrë.