Presidenti i SHBA Joe Biden dhe homologu i tij rus Vladimir Putin kanë rënë dakord në parim të zhvillojnë një samit mbi Ukrainën.
Lajmi u bë me dije nga zyra e presidentit francez Emmanuel Macron, me kusht që Rusia të mos pushtojë fqinjin e saj.
Pallati Elysee tha se Macron ftoi të dy liderët në një samit mbi “sigurinë dhe stabilitetin strategjik në Evropë”.
“Presidentët Biden dhe Putin kanë pranuar të dy parimin e një samiti të tillë”, thuhet në deklaratë e presidencës franceze dhe theksohet se një takim i tillë do të ishte i pamundur nëse Rusia pushton Ukrainën, pasi vendet perëndimore kanë frikë se ajo po planifikon një gjë të tillë çka mohohet nga Moska..
Njoftimi i publikuar pas një seri telefonatash midis Macron dhe liderëve në të dy anët e Atlantikut – vjen pas një jave tensionesh të nxitura nga ngritja ushtarake e Rusisë rreth kufirit ukrainas.
Zyra e Macron tha se detajet e samitit të mundshëm do të diskutoheshin gjatë një takimi ditën e enjte midis Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Në një deklaratë që konfirmoi propozimin francez, Shtëpia e Bardhë tha se Rusia po “vazhdonte përgatitjet për një sulm të plotë ndaj Ukrainës” dhe se SHBA ishte gati të impononte “pasoja të shpejta dhe të rënda” nëse kjo ndodh. Administrata Biden vlerëson se Kremlini ka grumbulluar deri në 190,000 trupa rreth Ukrainës.
Rusia vendosi nga ana tjetër të zgjas edhe stërvitjen e përbashkët ushtarake me Bjellorusinë.