Tha se iu referua Kosovës si “Kosovë e Metohi” gabimisht, Duda Balje merr mesazhe kërcënuese

Deputetja Duda Balje ka thënë se ka marrë shumë kërcënime pas deklaratës së saj ku tha “Kosova dhe Metohia” gjatë një interviste në një medium boshnjak. Ajo më pas e sqaroi duke thënë se ka qenë një gabim gjuhësor pa ndonjë qëllim.

Balje ka publikuar disa nga komentet që ka marrë, të cilat përmbanin gjuhë të urrejtjes. Krahas publikimit të këtyre mesazheve, Balje ka shkruar: “No comment! Vetëm disa nga komentet…”.

Më herët, Balje doli me një deklaratë ku u arsyetua për gabimin që ka bërë në televizionin boshnjak.

“Të nderuar qytetarë të Kosovës, mbrëmë ka pasur një intervistë në HAYAT MEDIA BIH, duke e pasur parasysh se ishin orët e vona të natës, përkushtimi im dhe e përditshmja ime që në shqip po ti jap intervistat e rregullta përkundër vështirësive dhe lëshimeve eventuale gjuhësore, e ndrojtur për të mos gabuar dhe për të thënë atë që mendoj, pasi që intervista ishte në gjuhën boshnjake, kam bërë një ” llapsus lingua”, pa vetëdije dhe pa e vërejtur lëshimin tim, në njërën nga pyetjet e gazetarit, kam thënë “serbët e Kosovës dhe Metohisë”, edhe pse disa herë të tjera në po të njëjtën intervistë kam shqiptuar mirë Kosovën, ju kërkoj falje për gabimin tim gjuhësor dhe shqetësimet eventuale që kam mundur të ju shkaktoj juve të gjithëve. Përulem para jush dhe me respekt e me zemër ju kërkoj falje dhe ndjesë për gabimin tim gjuhësor”.