Deklarata e presidentit kroat Zoran Millanoviq se Krimea kurrë më nuk do të jetë e Ukrainës, nuk ka kaluar pa kritika edhe nga Kievi.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Ukrainës, Oleg Nikolenko, ka thënë se deklarata e presidentit kroat vë në dyshim integritetin territorial të Ukrainës dhe se kjo është e papranueshme, transmeton Telegrafi.
“Pyes nëse Zoran Millanoviq mund të jetë president i vendit të tij me një retorikë të tillë të 90-ve derisa Kroacia luftonte që ta ruaj shtetësinë e saj? A do të pranonin votuesit e tij të mbyllin sytë para pushtimit të një pjese të vendit të tij? Dyshoj”, ka shkruar Nikolenko në Facebook.
“Konsiderojmë të papranueshme deklaratat e presidentit të Kroacisë, i cili në fakt vuri në dyshim integritetin territorial të Ukrainës”, theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës.
Ai e përfundoi njoftimin duke falënderuar “qeverinë kroate dhe popullin kroat për mbështetjen e palëkundur ndaj ukrainasve në luftën kundër agresionit rus”. /Telegrafi/